MOJ E ËMBËLA IME…


Natasha Limaj

MOJ E ËMBËLA IME…

Moj nënokja ime, sa herë të kujtoj

Ledhatimin tënd, më duket provoj…

Në qoshk tek oxhaku, kokën përmbi prehër,

Ngrohemi të dyja, porsi një e tërë…

Zjarri bubulak, kërcunjtë përpinte

Flaka gjuhëmadhe, rrotull tij lëpinte…

Shkëndijat si yje hidhen ,xixëllojnë

Piuuuu…, bën bujashka, ” kush na mbajn në gojë?!…”

Kongjillin me mashë, qëllon të thërmohet

Shpuza flakërimë, dhoma ,oh, sa ngrohet!…

Rrinim ne të dyja, deri natën vonë

Ndonjëherë më thoshje: – një tregim lexomë!..

Un’ nisur me ëndje “Dita e flamurit”

Ti nënokja ime, lotë rridhje, prej syrit…

Pak para mesnatës, – a do flemë ,moj bijë?

Me pak hi mbuloi, ata dy kongjijë…

Krevati na priste, në të djathtë të dhomës,

Bardhësi çarçafët, si lule dëborës…

Ç’ka ,se kallkanosur, përpara ti shkoje,

Duart nënë sqetull, fortë m`i shtrëngoje..

Ah, këmbët e mia…akull , cingërimë

Më thoshje : -t`i ngrohësh, afroi barkut tim…

Eh ,ti moj nënoke ,sa sakrifikoje

Akujt “siberian “, për mua duroje…

Tutje thoshje ftomës, më tutje dhe vapës

As një llojë lodhje ,mos t’i qaset vajzës…

Moj e shtrenjta ime, shtëpinë, kur pastroje

Zhgarravina gjeje, nën dyshek i çoje…

Sa vija më pyesje : – po këto i do?

Mos i ke të shkollës,- mblidhi bijëzo…

Moj e ëmbëla ime, herët në mëngjes

Uleshe te shtrati, zgjohuuu.., me kujdes…

Kur vija nga shkolla, buzagaz më prisje

Përpara te porta, filloje e flisje…

Mirë kalove sot, moj e vogla ime

A more ndopak, nga ato mësime?..

Unë, po e uritur të them : – ç`më ke bërë?…

Ti , gjithmonë e qeshur, – një vezë të tërë!…

Ngrysur, ngritur zërin ,- veza do më ngop?!…

Ti, po një të puthur, – është e” madhe”plot…

Eh ,nënokja ime, gjithmonë duke qeshur,

Shpirti yt i butë, me hyjnoren veshur!…

Eh, nënokja ime, kurrë…, nuk u mërzite.

Gjithë jetën tënde , për ne u sfilite….

Me nostalgji dhe dashuri të pakufijshme ,për hyjnoren nënë!…

Botuar në vëllimin e parë poetik, me titull ” Një pjatancë me mall “

Natasha Limaj ( Fejzaj ), 2004

About Post Author