
Moj kaba që na zgjon shpirtin
Moj kaba melhem për plagë
kur mes shpirtit ngjitet ferra.
Gur i pragut nis të flasë
kur nis udhën klarineta
Kjo kaba qenka si deti
si ulliri që s’ka moshë.
Violina ku rreh teli
i bën zogjtë të ndalojnë.
O, ç’na pike trupin, shpirtin
si një zog që kërkon kashtë.
Na zgjon lumin e burimin
ku vëmë buzën eshkëtharë.
Për ty flasin strehët, lulet
Vijnë udhët e kurbetit.
Një pëllumb në sup na ulet
Një gjemi na vjen prej detit.
Vijnë që larg zëra nizamësh
Qeraxhinjtë ngasin karvanë
Me aromë jargavanësh
Kërkon zemra fjalën mjaltë.
Shushurin lumi mes fletëve
dielli paska dalë herët në mal
Moj kaba që kujton derte
Mos e lër lotin të dalë!