Momente drithëruese pas kthimit nga banketi në shtëpin e Gjykatësit në romanin më të ri “Mister në ishull”-Ukshin Morina


– Mirë se erdhe, e dashur! – foli Gjykatësi dhe mbështolli dorezën rrotulluese të një dere, që e shtyu përpara. Edhe pse me ndriçim të zbehtë, holli i madh ndriste me gjithë madhështinë e një pallati ëndrrash. Abazhurët prej qelqi, të formave dhe madhësive të ndryshme, vezullonin mes traversave të veshura me panele të ndritshme, të lara me ar, nga drita e butë e dhomës që vinte nga jashtë. Brenda shtrihej një tjetër sallon i gjerë, me faqe prej xhami nga lindja, në mesin e të cilit gjendej një tryezë vezake, mbi të cilën qe vendosur një vazo me lule orkide. Përballë atij salloni, Gjykatësi hapi një tjetër derë me dy kanata të gjera dhe e tërhoqi Merin brenda, në një dhomë të stërmadhe. Aty gjendej një shtrat epshndjellës me koka të gdhendura bukur, i cili mbështillej nga një cohë mëndafshi, që përkundej nga flladi i lehtë i mbrëmjes, i cili depërtonte mes dritareve dam të hapura.

Një vrundull erërash dyndeshin brenda që nga oborri i pasmë i vilës. Mbi ta frynte një erëz e mirë shtatori, që kundërmonte rozmarinë e sherbelë.

– Mbase dëshiron të pish diçka, e dashur, – pyeti ai dhe pa në vështrimin e saj përhumbjen e tretur të fytyrës. – Unë do të marr një gotë, nëse dëshiron të më shoqërosh…

Ajo nuk iu përgjigj, por tundi kokën në shenjë miratimi. Vështroi rrotull dhomën e saj të gjumit dhe me droje mendoi se mos nuk gjendej në vendin e duhur.

Meri zuri vend në kolltukun pranë tryezës, prej ku ndjeu nën vete butësinë e kadifenjtë të ndenjëses të fundosej. Ajo mobilie misterioze, me dorëza dhe shpinore të mbushura, e mbante peshën e saj me një delikatesë të mahnitshme.

– Hajde, për martesën tonë të lumtur! – takoi gotën me verën e markës hungareze “Royval Tokaji” dhe shprehu gjithë bujarinë dhe gëzimin e asaj dite të madhe me vështrimin tek e shoqja, e cila po kundronte gotën e kristaltë e të rëndë në dorën e saj që dridhej.

– Gëzuar! – dëgjoi zërin e vet të tretej dhe kujtoi se (…)

Mund të jetë një imazh i 1 person, duke buzëqeshur dhe redaksi