Monografi e mirërealizuar për burrështetasin Xhavid Nimani… Prof.Dr.Skënder Kodra


Monografi e mirërealizuar për burrështetasin Xhavid Nimani që pasuron letërsinë tonë dokumentare

Prof.Dr.Skënder Kodra

Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve – Nju Jork

Libri kushtuar pesonalitetit të shquar kosovar Xhavid Nimani, këtij burrështetasi, që bashkë me Fadil Hoxhën organizuan e drejtuan Luftën Antifashiste në Kosovë, duke e shkëputur atë nga influencat fashisto-naziste dhe duke e bërë pjesë të Koalicionit të Madh Botëror kundër bishës naziste të drejtuar nga SHBA, Anglia dhe ish – BRSS, të atyre burrave që drejtuan Kosovën nën trysninë dhe represionin e vazhdueshëm serb dhe që ndikuan në progresin e Kosovës me ngritjen e rrjetit të shkollave, institucioneve akademike e kulturore të Prishtinës, përbën një kontribut madhor të shkrimtarëve e publicistëve të mirënjohur Halil Rama, Hajri Mandri e Bashkim Hisari.

Për vetë bibliografinë dhe referencat e pasura e të besueshme, ky libër na sjell në mënyë bindëse personalitetin e Xhavid Nimanit, të formuar në zjarrin e luftës partizane dhe në përballjen dinjitoze me shovinistët serbë.

Dhe ajo çka është më kryesorja, ky libër monografik i bën të ditur lexuesit se ishin pikërisht Fadil Hoxha e Xhavid Nimani, të cilët me Kushtetutën e vitit 1974, me mençuri, larpamësi e diplomaci të rrallë mundësuan krijimin e Kosovës si Krahinë Autonome me të drejta të bararabarta si të ish – Republikave tjera, në kuadrin e Federatës Jugosllave.

Janë pikërisht kufijtë e vendosura si ish – krahinë autonome, ato që ka edhe sot dhe i njeh e pothuajse e gjithë bota si kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës.

Autorët e kësaj monografie janë tejet bindës, qoftë edhe për faktet e argumentet që sjellin për rezistencën e Xh.Nimanit në kohën kur Kosova ndodhej në udhëkryq të historisë, për realitetin historik, ekonomik dhe politik, si dhe për vetë përmbajtjen tematike mjaftë të larmishme, trajtimin ideor e shkencor të të gjitha etapave të formimit si luftëtar, politikan e diplomat karriere të Xhavid Nimanit.

Ajo që bie në sy, qoftë edhe me leximin e parë është atdhedashuria e zjarrtë e këtij atdhetari gjithëkombëtar dhe udhëheqësi të dinjitetshëm në Kosovës martire.

Kësisoj, gjejmë në këtë monografi, të mirëstrukturuara e trajtuara me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante Gjakovën si qytet i atdhetarizmit dhe kulturës historike ku kaloi fëmijërinë dhe u formua Xh.Nimani; shkollimin dhe predispozitat intelektuale; frymëzimin dhe militantizmin, dashurinë për atdheun, lirinë dhe kulturën kombëtare; pjesëmarrjen strukturore dhe fillimet e aktivitetit politik; rritjen e performancës së Xh. Nimanit dhe suksesin e tij politik.

Autorët na japin me fakte dhe argumente aftësitë individuale dhe qasjen në kontekstin historik dhe politik, nuhatjen, manovrimet dhe adoptimet me konjukturat e Federatës Jugosllave; qëndresën dhe tiparet morale të Xhavid Nimanit dhe pothuajse gjithë veprimtarinë politike dhe ndikimin e tij si lider në ngjarjet deçizive në politikën kosovare. Dhe të gjitha këto, përveçse nëpërmjet trajtimit të mirëfilltë publicistiko-shkencor të ngjarjeve e rrethanave në të cilat u formua dhe veproi si lider Xhavid Nimani, bëhen më të besuesueshme nëpërmjet opinioneve dhe intervistave nga bashkëkohës, historianë dhe personaliete të shquara që kanë informacion për Xhavid Nimanin.

Nga tërësia e lëndës dhe opinionet e bashkohësve vend të veçantë zë roli i Xhavid Nimanit gjatë 7 viteve që Ai ishte Kryetar i Kryesisë së Kosovë në ngritjen dhe konsolidimin e rrjetit të insticucioneve arsimore, kulturore e akademike të Kosovës, që nga shkollat, Universiteti, Radiotelevizioni i Prishtinës, Akademia e Shkencave etj.

Dhe jo vetëm kaq. Në këtë libër Xhavid Nimani, si dhe shokët e tij të ngushtë Fadil Hoxha, Veli Deva etj (bashkëthemelues të Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës), evidentohen edhe si mbështetës të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edukatorë e familjarë shembullorë. Ata mishëronin dhe përçonin tek publiku virtytet më të mira njerëzore dhe intelektuale.

Kjo vepër shquhet për vlera të spikatura publicistiko-shkencore, si edhe për qasje krahasimtare të aktivitetit të dendur të Xh.Nimanit. Me një përkushtim të veçantë, autorët e kësaj vepre dinjitoze i kanë trajtuar deri në hollësi ngjarjet dhe rrethanat e Kosovës si histori e shtypjes dhe dhunimit të të drejtave kombëtare dhe të përpjekjeve mbinjerëzore të lidershipit Kosovar për realizimin e aspiratës së tyre për bashkim kombëtar.

Përfshirja në këtë monografi e opinion/vlerësimeve të personaliteteve të mirënjohura të botës akademike e asaj të letrave, si: Prof. Asoc. dr. Bernard Zotaj, prof. Asoc. Dr.Zaho Golemi, akademik Jusuf Bajrakatari,Prof. dr. Nuri Bashota, Dr. Masar Rizvanolli, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Zija Mulhaxha– ish-kryetar i Organizatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës; shkrimtarëve e publicistëve të mirënjohur: Shpendi Topollaj, Sakip Cami,  Xhevat Koshi, Ahmet Bakia, Kemajl Kamberi, Abdyl Zhaveli, Myradije Haxhiu, etj, e bëjnë atë më bindëse pë lexuesin dhe publikun në Shqipëri, Kosovë e në hapësirën mbarëshqiptare në botë.

Në analizat e tyre ka një emërues të përbashkët: “Xhavid Nimani ishte një protagonist i sprovuar në teori dhe praktikë dhe si një kuadër e drejtues që vinte nga Lufta, dinte të ridimensionojë personalitetin e tij përballë sfidave historike të vështira. Inteligjenca kosovare po dallonte te Xhavid Nimani, një aset të çmuar, një intelektual të florinjtë, që zakonisht në kthesa të mëdha historike, filtrohen dhe dalin në krye si lidership. Ai dinte tashmë se çfarë është humbja e madhe dhe fitorja e pjesshme, ndaj me mençuri dhe pragmatizëm politik e diplomatik, mundohej të përvetësojë faktorë mbështetës në të mirë të çështjes së përparimit të kauzës së lirisë dhe prosperitetit të Kosovës”.

Kësisoj, kjo vepër zë vend të rëndësishëm në fondin e letërsisë sonë dokumentare, pasi mbush dinjitetshëm atë zbrazëtirë, atë vakuum që ekziston për etapat në të cilat u zhvillua Kosova edhe në kuadrin ish-Federatës Jugosllave.