Të varfërit e vendit tim blejnë së shumti duhan të lirë. Duhan i lirë është ai që tregëtohet me qese plastike ose letre, dhe që dridhet e spërdridhet për qejf brenda një letre duhani derisa të bëhet një kaush i trashë sa gishti. Pastaj, me qetësinë olimpike të monologut dhe prehjes shpirtërore, lëpihet me gjuhë dhe njomet me pështymë për të shmangur djegien e shpejtë të masës së thatë të tij, ndoshta sepse ashtu është vepruar edhe në disa kultura indigjene prekolumbiane të Amerikës gjatë ceremonisë së shenjtë të tubave(pipave për thithjen e tymit të duhanit). Gjithsesi, cigarja e njomur me pështymë, na kujton diçka krejt të zakonshme ditëve tona, aq sa ajo personifikohet me të varfërit ose “qytetarët e denjë” të varfërisë të ulur mbi instalacionet e mirëqënies fantazmagorike të mëhallave tona kinse evropiane. Po çfarë mendojnë ata, vallë? Cili është kumti i monologut të tyre? Ata nuk mendojnë ashtu siç dëshirojmë ne, pjesa tjetër e mjedisit shoqëror të kënaqësisë së fitores dhe pakënaqësisë së humbjes sepse nuk kanë as çfarë të fitojnë dhe as çfarë të humbasin. Ata janë atje, të harruar nga parajsa po aq sa edhe nga ferri. Ata i shmagen mendimit, si të gjithë njerëzit që mendimi nuk i ndihmon të shkulen nga mjerimi i tyre, por vetëm ua bën atë edhe më shnjerëzor e të padurueshëm. Ata janë atje, para syve tanë duke njomur cigaren me pështymë, duke folur me vetveten, objekte të çuditshëm që presin stinën e dhuratave zyrtare të fundvitit dhe të mëshirës së fondacioneve bamirëse për të çelur sythet e gëzimit të hidhur. Ata janë atje, para syve tanë duke njomur cigaren me pështymë, duke folur me vetveten, piktura të frikshme që presin ofertat e panairit të artit elektoral dhe gjykimin e kritikës partiake për të shitur ëndrrat e tyre në kanavacë. Ata nuk kanë një kumt të veçantë, të shquar, mbresëlënës në monologun e tyre të cigares së njomur me pështymë. Ata janë të heshtur si rrënojat e vendbanimeve të lashtë, të vrazhdë si gardhet e gurtë që kufizojnë oborret e mesjetës së vonë, të zymtë si netët e urisë, mistikë si legjendat e shvirgjëruara që sfidojnë historinë, të beftë si mëngjezet që çajnë diellin, të paqetë si lulet e egra nën ngricën e cinizmit, të… Ata nuk kanë asnjë kumt për të përcjellë tek ne. Ata janë vetë kumti, kumti që qëndron i kryqëzuar në ajrin e dëndësuar vajtueshëm të demokracisë tonë. Dhe nga ana tjetër, sepse ka gjithmonë një anë tjetër, është kuvendi i purove. Puroja, një nga personifikimet më ikonike të klasit dhe luksit duke filluar që nga pasanikët sadistë dhe aventurierët mizorë të qytetërimit Maya e deri tek W. Churchill, Che Guevara, Fidel Castro, John F. Kennedy, R.Reagan, Bill Clinton, Elvis Presley, Clint Eastwood, Silvester Stallone, Mel Gibson, Bono, etj. Pra, thjesht dhe pastër, një kulturë suksesi dhe fame. Kështu, dhe për fat të keq, sipas stereotipit të demokracive euroatlantike, edhe ne krijuam një kuvend purosh në një republikë cigaresh të njomura me pështymë, krijuam një bashkësi “horrash” të pasur dhe të privilegjuar që quhen “deputetë” në palcën e një populli kaq të lodhur nga tirania e fosileve të ligësisë njerëzore. Ata janë aty, para syve tanë, duke kalëruar mbi shpinën e dinjitetit tonë kombëtar siç xhirojnë gomat e paturpësisë mbi kalldrëmin e vjetër të ndershmërisë. Ata janë aty, para syve tanë, duke thithur purot e luksit në festivalet e fitoreve elektorale dhe shëtitur këlyshët e llastuar të racës në selitë partiake. Ata janë aty, para syve tanë duke shfryrë mbi fytyrën e varfërisë, si në një seancë hipnoze kolektive, tymin e demagogjisë së tyre politike. Ata kanë gjithshka që të tjerët vetëm ëndërrojnë ta kenë, dhe ëndërrojnë të kenë gjithshka që të tjerët as nuk guxojnë ta ëndërrojnë. Ata janë të zhurmshëm si bubullimat e betejave butaforike në amfiteatrot e lashtësisë, injorantë si perënditë dembele në panairin e kotësisë, të pangopur si qentë e egër në stinën e thatësirës së zgjatur, të etur për protagonizëm mediatik si babuinët që masakrojnë flamingot para kamerave profesionale, të kënaqur si ujrat e qetë të pishinave rezidenciale, të dashur si princat mesjetarë me langojtë e tyre të gjahut, të… Ata janë gabimi ynë historik, një gabim që Evropa e politikës e kupton fare mirë, por që Evropa e luksit nuk do ta pranojë.