Mora rrugën…Godo Mehmetaj


Mora rrugën më të lartë

në ato faqe shullëri

kam një mall e më djeg flakë

më dridhet trupi i tëri.

U rrita në këto vënde

lash një copë të jetës time

nga kam bredhur kalamak

nëpër ara e burime.

Ku shikoja anë e mbanë

ku më ka dhenë Nëna gjinë

për atje zëmra më qan

më sehir e ngopja synë.

Malli më ka marrë të vete

të flë gjumë në një lëndinë

dhe thëllëzat kur të shkojnë

të më zgjojnë me cicërimë.

Nuk harrohet fëmijëria

shpesh e kaloj nëpër mënd

i mora i ktheva vargje

nëpër dhëmbë i mbaj si këngë.