MORALI


Seti Pezaku Vladi

Çdo ditë tjerr
lëmshin e durimit shkallëthyer,
lumin e pulsimeve të ankthit që troket
për të takuar moralin.
Asnjë regëtimë e aromës së tij.
Rrudhosen,
ngurosen,
sy ujku bëhen
kur fytyrën u filmon morali.
E plagosën
këtë arterie të gjakut tonë në vena,
i mbyllën derën,
e shpallën “non grata”.
Lulëzon
rrokopuja e “lirisë”,
ul kokën morali.
Kamja
gradohet gjeneral
dhe varrin e bën pa moral.
Shpërdredh lëmshin e durimit,
ngrej zërin skelave të qiellit,
skelave të ndërgjegjes,
zbraz llavën e gjoksit që djeg.

Lutem
të çelë zambaku i bardhë,
morali diell me një qiell këngësh,
të ndriçojë mendjet,
të zbukurojë shpirtin!

@seti pezaku vladi 

About Post Author