Mos e digj shpirtin poet!-Kristo Çipa


Në çdo udhëkryq apo kapërcime të mëdha shoqërore, poetët në fletët e shpirtit kullojnë dhimbjet por edhe përthithin fijet e dritës për t’u dhënë njerëzve dhe kohës shpresën dhe optimizmin

Mos e digj shpirtin poet!

Zjarri i jetës morri ujë

Uji nuk zbret më në det

Shkon të thahet në furtun

Mos e digj shpirtin poet!

Nëpër djep tundet vetmia

Nusja vellon mbrapsht e shqep

Dhëndëri s’vjen në dasmën e tija.

Mos e digj shpirtin poet!

Sytë e qorrit ka marrë rëra

Guri, durimit i flet

Heshtjen mike unë e bëra.

Mos e digj shpirtin poet!

Fol dhe ti sa flet ikona!

Koha dhimbjen me lot qep

E qëndis me hallet tona.

Mos e digj shpirtin poet!

Të rënët po pijnë lavdinë

Amanetin kanë për drekë

Dhe plagët mbi tavolinë.

Mos e digj shpirtin poet!

Vdekja merr liçencë të tallet

E sëmurë është kjo jetë

S’besoj ta shërojnë spitalet.

Mos e digj shpirtin poet!

-Le të digjet! Është zëfikur!

Pena e tij s’ka ku shkrep’

Në të gjallë quhet i ikur.

Shpirti vet po shkon në meshë

Se ringjallja paska zbritur!….