Mos eja nën dritën e hënës tinëzare
as mos eja kur do të filloj të bie shi…
as mos më shiko nga lart në dritare
e të kujtosh se kam mbetur në vetmi
Mos eja mëngjeseve të freskëta kot
s’do jem duke të pritur ty asnjëherë
mjaft largimin tënd e ndjeva deri sot
po pres një jetë të bukur në pranverë
Kjo pranverë,sado e vonuar shfaqet
do më kujtoj ditët e blerta me qetësi
e di se mes nesh ekzistojnë çastet…
kur i kalonim nën shi;vetëm unë e ti !
Por,sonte mos më eja as në ëndrrim
dua të flej i qetë,shpirtin pa trazuar
le të vazhdojë kjo natë deri në agim
shpresoj një ditë kam për të harruar
Mos eja kurrë të trazosh jetën time
qëndro aty ku shkove me “dashuri”…
unë nga ajo ditë kam marrë mësime
tani dua të jetoj jetën me besnikëri.
