
Këmbët më shpunë në historitë e thëna,
Sot thashë; Mirmëngjes Çamëri,
I ulur në gjunjë mbi muret e rëna,
E lava atë tokë me lot si fëmijë.
Në ato ullishte dhe mure me gurë,
Rënë një nga një për vite me rrallë,
Tregimet gjyshi, sa bukur i thur,
Dhe loti që i bie i djegur me mall.
Sa shumë e ëndërruan vatanin,
Me masakër nga shtëpia dëbuar,
Të tërë brengë në shpirt mbanin,
Nëpër botë mohuar e coptuar.
Amanet të gjithë një lanë,
Ndaj ne kurrë nuk e harrojmë,
Një ditë kur të mundni- thanë,
Pranë prindërve na shpini të pushojmë.
Ëndërr e kisha të shkelja mbi k’to rrugë,
Premtimin e dhënë ta mbaja një ditë,
As koha këto gjurmë si zhduk,
Parajsë e bekuar nga perënditë.
Një dorë dhè, tek varri ta solla,
Gjyshërve ju përcolla amanetin tënd,
Ullirin e shtëpisë mbi kokë ta mbolla,
Aromë Çamërie, por në tjetër vënd.