Mos ma shihni pëllëmbën!
Fati im fle nën lëkurë.
Mbi të le të ndërthuren vijat,
Zemra nuk lodhet kurrë.
Jam i mirë, se e ndjej dhembjen,
Në mos qoftë gjer torturë.
S’kam flirtuar kurrë me humbjen.
Thashë poet, kam kuptuar burrë.
Thomëni:
Ç’është kjo forcë,
Që më bën të jetoj në këtë univers?
Mos dhembja,
Që të bën gjithmonë e më të mirë,
Të përballesh me të keqen,
Qoftë me jetë të vështirë?!
Ngulçime më shtrëngojnë fytin.
Dikush më quan “zbukurim i hiçit”,
Dikush tjetër “ sëmundje: poet, poet, poet”…
Po s’ka betejë pa ëndërruar.
Gjykimi i ftohtë nuk vlen pa ëndrrën,
Miken e parë të sinqertë.
Ndaj, thomëni:
Kush është perandori i botës:
Dielli vetmitar apo unë?…
Shtërngoj përsëri grushtat
Dhe qaj për një nesër
Dhe thërras, thërras,
Se ju dua shumë.