Mos më gjyko:Dafiola Nepravishta


Mos më gjyko

Vish këpucët e mia…

Të lëna në portën e kohës

Harkuar nga pesha e kohës

Provo të rendësh mes erërave

Rend…vazhdo rend

Kap fillin e shpresës

Që lëshova qiejve të mi

Si balona prej letre dikur

Ngatërruar në degë fëmijërie

Me kokën gjithmonë lart

Se një ditë do tè më kthehej në duar

Vish këpucët e mia…

Ndieji të vrarat e kohës

Ec…vazhdo ec

Kujdes! Mund të rrëzohesh

Në mjegullën e mendimeve

Që më kaplojnë si re dimërore

E ajrin grish me duar

E zbuloj diellin ti.

Që ndrin akoma në dritaren e jetës

E rrezet e brishta I lidh flokëve

E i bëj kordele…

Vish këpucët e mia….

Provo të kapërcesh ujërat e zemërimit

Që vërshojnë stinë e pa stinë

Shtigjeve që fshehurazi mi hapën njerëz si ti

Ende i ndiej të errëta, të akullta, të lagështa

Por në asht kurrë nuk depërtuan

Rend drejt urës së drunjtë

Që si Noe ndërtova me skelet durimi

Provo të thurrësh të miat ëndrra

Me fijet që hua ia mora ylberit

Provo…

E nëse nuk mundesh

Mos më gjyko.