Mos po fillon ‘Lufta e Katërt’!Nga Boris Miska


Nga Boris Miska



Eshtë e vështirë të besohet se bota nuk e ka konsumuar tashmë ‘Luftën e Tretë’ të saj dhe sipas të gjitha parashikimeve me bazë, ndodhet në prag të shpërthimit të së ‘Katrës’!
‘Lufta e Ftohtë’ që zgjati 45-së vjet nuk ishte gjë tjetër veçse një konflikt global me përmasa planetare edhe pse asnjëherë nuk u guxua të etiketohet si e tillë.
Kohëzgjatja, jetëmarrja, armatimet e konsumuara, bombat e hedhura, gllabërimi i fondeve, përshkallëzimi dhe gjeografija e saj e kalojnë dhe e nxjerrin fare ‘minore’ të ashtuquajturën ‘Luftë e Dytë’.
Për ta ilustruar këtë mjafton të rendisim konfliktet e përgjakshme në Kore, Vietnam, Lindjen e Mesme dhe të Largët, Afrikë, Amerikë Latine, Afganistan, Irak-Iran etj.
Mospërdorimi i armëve bërthamore nuk është aspak argument për të thënë se bota i shpëtoi dhe nuk e konsumoi dot ‘Luftën e Tretë!
Për fat të keq mungojnë analizat reale që do ta qartësonin situatën në të cilën ndodhemi.
Janë shumë ngjarje që mbartin mbi vete enigma e pikëpyetje të mëdha.
Në rast se deri më sot pranohet se ishte Jalta ajo që ndau ‘trofetë’ dhe i ra gongut të përfundimit të marrëzisë së ‘Dytë’, atëhere kemi të drejtë të kërkojmë të dimë;
çfarë është nënshkruar në Maltë në 1989-tën midis Bushit e Gorbaçovit, që i dha fund ‘Luftës së Tretë’ e cila u etiketua gjoja si Lufta e Ftohtë!!
Mosdija e atij takimi ‘pozant’ na bën të supozojmë se diçka nuk ka shkuar mirë, diku është shkelur pakti, ndryshe s’ka se si t’i afrohemi pas dy-tre dekadash një lufte tjetër që me gjasë mund të jetë e fundit për njerëzimin.
Nuk jemi larg për ta analizuar se sa me shpejtësi u rrukullisën ekujlibret ndërkombëtare.
Gorbaçovi u tërhoq ‘urtë e butë në Kremilin’, braktisi Afganistanin, Lindja komuniste mori frymë e çliruar, Traktati i Varshavës u shpërbë, bota frymoi thellë e lehtësuar, gishtat u ‘larguan’ nga butonat e shpërthimit të armëve që mund ta shfarosnin globin në pak minuta.
Jemi gjithnjë në mendime të supozuara, pasi kartat nuk janë zbardhur asnjëherë dhe kjo të bën të mendosh se u luajt e po luhet një ‘lojë e pisët’ nga të dy palët nënshkruese ose së paku nga njëra anë e trapezës triumfuese.
‘Aleanca e Atlantikut’ edhe pse funksion të saj dhe shkak themelimi kishte përballjen me rrezikun e Rusisë Sovjetike, me largimin e saj çuditërisht nuk u shpërbë!
Pse!
Hapsirat e lëna bosh nga largimi ‘në huti’ i ushtrisë së kuqë për habi u nxitua të ‘mbushen’ me ngut diku me të ashtuquajturin ‘europianizim’ e diku me ‘antarësim në NATO’, aq sa shumë shpejt harta politike e Europës pësoi transformime të paimagjinueshme.
Rusia heshti!
Heshti se ashtu ishte shkruar në Maltë, apo ngaqë nuk mund të reagonte më dhunshëm si dikur!!
Edhe kjo kërkon analizë për që mbetet serish në ‘hapsira’ të paargumentuara prej të mospaturi në dorë paktin e Maltës; Bush-Gorbaçov.
Eric Hobsbawn, analist serioz i ‘të rrëmbyerit’ shekull i XX sjell një këndvështrim shumë interesant mbi arsyet e vërteta të shpërthimit të konflikteve me përmasa botërore.
Sipas tij (dhe për këtë është shumë i saktë) konflikti i dytë do të ndodhte, ashtu siç vërtetë ngjau, shumë shpejt, pa kaluar as dy dekada sepse në Konferencën e Paqes, ‘tryezën’ e ndarjes së trofeve nuk u ndodhën dy nga fuqitë e mëdha determinate për Europën:
Gjermnia dhe Rusia cariste.
E para sepse nga lufta përfundoi me humbje katastrofale materiale e njerëzore, e dyta ngaqë i kishte ‘duart e zene’ me Revolucionin e Tetorit.
Edhe pse në distancë SHBA për shkaqe që dihen nuk mundi të arrijë në ato objektiva për të cilat u përfshi jo pak në konfliktin mes europianëve. Asaj do i duhej shumë shpejt një tjetër luftë që të bëhej ajo që është sot; superfuqi e padiskutueshme botërore.
Fuqitë e mëdha edhe pse ndaluan së bëri politikë me mjetet e dhunës, pra u hodhën tek diplomacia dhe paqja, prej mosbesimit e interesave jetike të gjithëseciles i shkelën traktatet ose më mirë të themi nuk i zbatuan fare.
Në këto ujra hileje dhe padakortësie shumë shpejt palët sërisht do përfshiheshin në konflikte të përgjakshme edhe pse është thënë se asnjëherë nuk u përballën direkt, ose nuk arritën ta përdorin ‘pultin’ e katastrofës.
Hiroshima dhe Nagasaki i detyroi me hirë dhe pahirë politikanët të kërkonin etiketime të tjera për luftrat moderne, të ruanin distancën duke kërcitur thjeshtë dhëmbët e futur duart e tjetër kujtë në zjarr.
Dhe këtë e pagëzoi Ҫërçilli me emrin ‘Lufta e Ftohtë’, por  që  nuk ishte aspak e akullt, veçse një konflikt i zjarrtë me përmasa të frikshme.
Bazuar në logjikën e analistit të shekullit të kaluar na lind e drejta të mendojmë se edhe në pragun e ndezjes së ‘zjarrit të fundit’ Luftës së Katërt, në thelb të shkaqeve të vërteta është jo vetëm shkelja e marrëveshjeve, por edhe pamundesia për të qenë në kohën e duhur në vendin e duhur, aty ku ndahen të ashtuquajturat ‘zona të influencës’, kufijtë, tregjeve e territoreve, burimeve jetike të energjisë, aleancave e interesave.
Serish në skenë është Rusia, të cilën mesaduket diku e shkelën ‘në kallo’ pse jo dhe Gjermania e bashkuar që genjeu veten duke menduar se u bë ‘fuqi europiane’ e botërore.
Frikshëm në distancë ‘fle’ dinosauri aziatik dhe fuqi të tjera që s’mund të injorohen; siç janë Irani apo ‘shteti psikopat’ i Kim Yongut.
Për mos e tjerrë më gjatë, më jepni paktin e Maltës që të kem mundësinë për t’i vendosur pikat më mirë mbi i, ndryshe do të hamendësojmë kot, por jo fare ashtu…
Bota po dihat e trembur nga një konfllikt tjetër që për mua do të jetë i katërti dhe i fundit.
Lus Zotin të jem gabim!