Mos rri aty-Mimoza Maria Ajdhoni


Mos rri aty

Mos rri aty, ku ëndrrat e tua vrasin,
aty, që si të pamjaftueshme të trajtojnë,
aty, që kurrë s’do jesh prioriteti,
aty, që derën e daljes të tregojnë.

Mos rri aty që s’thonë as ” Natën e mirë”,
një dorë e ngrohtë flokët s’ti ledhaton,
aty, që mos ta shohin , lotin e gëlltit pas,
aty, që ajri i lirisë kurrë nuk të mjafton.

Mos rri aty, ku shpirti yt nuk qesh,
gjerdan që shtrëngon qafën është trishtimi,
mos rri aty, që s’dinë sa meriton,
Mos rri, ndërtoje jetën sërish që nga fillimi.