Mos thoni vdiq poeti-Suzana Rama


Mos thoni vdiq poeti

………kushtuar in memorium per poetin AGIM DOÇI……….

Vdiq poeti, vdiq poeti,

i fjalës, i vargut mjeshtri,

u mbyllën dy sy, një muzë,

disa fjalë u bënë tërkuzë.

Vdiq poeti, kush e tha,

se për poetin ka dy jetë,

mundet që ti ndalet fryma,

por jeton puna e vetë.

Vdiq poeti, shpirti ngrin,

kaltërsive rreket lotësh,

proteston me suferinë,

para perëndish e zotash.

Heshti zëmra, por jo fjalët,

që u gdhëndën nëpër vite,

përjetësohet nëpër këngët,

jehojnë nëpër skena si hite.

Shkoi rebeli që nuk pranoi,

të bëhej pjesë me të keqen,

që mes vargjesh protestoi,

duke thënë shpesh të vërtetën.

Mos e thoni që vdiq poeti,

ndodh, thjeshtë njeriu ikën,

është një dramë që luan fati,

dikush tjetër cakton ditën.

Vdiq poeti, por nuk harrohet,

nëpër vargje shpirti bohem,

për gjithçka kur të kujtohet,

do themi shpirti në xhehnet.

Nuk vdes poeti, por kujtohet,

fjala dhe puna nëpër ditë,

nëpër libra ai veç lartësohet,

në zëmra e popull rron si mit.

..