Mos u ligështo-Vladimir Muça


MOS U LIGËSHTO

Populli im

Mua birit tënd

Për këtë vend zemra më rreh,

Ndaj mos u ligështo!…

Terri ngado rrotull po vjen,

Si mund të zhgënjehet e vërteta,

Atdheu, familja, fëmijët, Jeta?…

Atdhe mos u ligështo!…

Kjo lojë e kohës po të mundon,

Ky terr i rënë

Nga dielli i shpirtit tënd do tretet.

Filiza të rinj besimi

Në pemën e jetës do lulëzojnë,

Ndaj në këtë dimër mos u ligështo!

Zemrat pranverë do gjallojnë.

Stinë e re,

Hambar mbushur

Mbi shpresat e humbura ngado,

Atdhe shpreso, shpreso!

Vetëm beso,

Në këtë katrahurë mos u ligështo.

1998

KUR BASHKOHEN DY DUAR

Tok dorën me një njeri në rrugë

Kur rastësisht ndihmë të kërkon,

I jep një lulejetë erëshumë,

Gjithë jetën në shpirt erëmon.

I shtrij dorën me zemër, pa u shtirë,

Një njeriu në të ligun hall,

Ajo i bëhet jetë në humbëtirë,

Dritë shprese, me zë të gjallë.

I zgjas dorën një njeriu të ngecur

Keqas në të jetës baltovinë,

I bëhem rreth hije e freskët,

Diellshprese, flatrim gjeraqinë.

Mirësia nga zemra ka buruar,

Qëkur u bëmë njerëz në jetë,

Atje ku bashkohen dy duar,

Është jeta e njeriut të vërtetë.

1998

IMPORT

Në arat e Kolzës

Erdhi pranvera

Me të korrat e pa mbjellë.

Dimëri ia mbërriti hambarëve në uri.

Nga importi me tranoqeanikë

Mbetur nga mijtë do sjellim

Grurë Kanadaje me siguri.