MOTRAT
Në fëmijëri nuk e dija se motrat ishin bekim,
po një problem në shtëpi,
një stuhi që pritej nga çasti në çast.
Por ato nuk u ngritën kurrë në qiell,
ngelën meteorë që digjen pa flakë në tokë.
Qielli është i vëllezërve;
dhe bubullimat e shtrëngatës inati i tyre për gabimet tona,
varej në mur e pashkruar me bojë,
po me shpirt nga motrat.
Babait i thonin
pjesën më të madhe vëllezërve;
dhe unë nuk i pyeta kurrë, nëse u ngopën ndonjëherë.
Një ditë nuk banuan më në shtëpinë tonë,
por boshllëku që lanë pas nuk u zmadhua asnjëherë.
Nuk i pyeta kurrë se si shkojnë me burrat e tyre
dhe as se sa i dëgjojnë fëmijët.
Shqetësimi im ishte vetëm të mos më turpërojnë;
dhe ato ngelën një botë e panjohur,
një heshtje plot me pyetje,
heshtje ku ankesat ishin kujdesi për vëllezërit.
Edhe tani janë gra që nuk qajnë para nesh,
por lotojnë dhe gëzojnë si zgjatim i përjetimeve tona.
Më duket sikur ju kam vjedhur jetën,
ndaj ngela si një hije e vetmuar iluzionesh,
të cilën as pendesa nuk e çliron dot.
Ato qëndrojnë gjithmonë pas dhembjes tonë,
pasi motrat nuk e njohin dhembjen e tyre.
K.F.
BOSTON 10/30/2024