Muhamet Tartari:Historik i shkurtër i valles së burrave të Vranishtit


Muhamet Tartari:Historik i shkurtër i valles së burrave të Vranishtit

Vranisht, 1979

Në koncertet, festivalet, apo nëpërmjet radios dhe ekranit të televizorit, shohim dhe dëgjojmë këngët dhe vallet e bukura popullore, i admirojmë e frymëzohemi prej tyre. Aty është derdhur bota e brendshme e popullit tonë artist; gurgullojnë në to gëzimet dhe shqetësimet, epikja dhe lirikja, bukuria, pastërtia dhe madhështia e artit popullor shqiptar. Ashtu si gjithë populli ynë, edhe vranishnjotëve u është dashur që në tërë historinë e tyre, të mos heqin nga dora shpatën dhe pushkën. E ngjarjet e lavdishme të historisë, i përjetësojnë në këngët dhe vallet e bukura popullore, duke derdhur në to gjithë ngarkesën ideoemocionale të shpirtit.

Në to kish gjakun dhe kockën e tij vranishnjoti, kish ëndrrën e lirisë! Dhe ai e hodhi vallen gur më gur, shtigjeve dhe grykave të historisë duke e përgjakur çdo pëllëmbë trimërie. Në krye e hapin shaminë dhe e shtrijnë hapin kryetrimat! Ashtu qëndrojnë përherë në krye të valleve, tek i shohim në ballë të heroizmit. Ja viti 1847, para betejës me turqit, hidhet vallja nga trimat e çetës së Vranishtit dhe valles i prin Mete Çobua, komandanti i saj. Në urë të Bratit u hodhë / Mesaplik ngulën taborrë / Ngritën çadrat në Horë… dhe trimat betoheshin: Të gjithë do të luftojmë / Asnjë turk të mos shpëtojë…

Edhe çeta e Vranishtit e mbledhur më 1908 në sheshin e fshatit, për të pritur e nderuar patriotin e madh, Ismail Qemalin, hodhi një valle, të prirë nga Sali Murati. Aty në valle u ngrit kënga: Smail Qemali me halle / Ti vajte krale më krale / Hallin e Shqipërisë e qave… Dhe trimat e lidhur sup me sup betoheshin para Ismail Qemalit: Burra të dalim në male / Turkun ta zhdukëm fare…

Kur flasim për vallen e Vranishtit, patjetër do të flasim edhe për beteja, se këto valle janë shoqëruar nga betejat, ashtu siç betejat kanë shoqëruar vallet. Nuk do bëjmë një historik të gjatë se sa valle dhe sa beteja kanë zhvilluar trimat e Labërisë, së ato janë të shumta. Në këtë kumtesë do të flasim për veçoritë e valles “vënçe” të Vranishtit dhe do të analizojmë “gjuhën” e lëvizjeve të saj. Në “gjuhën” e valles hyjnë armët e betejës, si baria, shpata, pushka, formacionet e luftës, se ajo vetë është një betejë.

Vetë hapja e shamisë në erë nga valltari udhëheqës tre herë, shënon sinjalin e alarmit, sinjalin e thirrjes tre herë, “eja mblidhuni këtu, këtu, këtu”, sinjalin e nisjes për në sulm. Pas këtij veprimi fillon kënga që përcillet, siç përcjellin malet jehonën; valltarët lidhin duart dhe i shtrëngojnë fort, duke i dhënë shoku shokut besën. Sepse ata do të jenë bashkë në sulm e në fitore. Pas këtij veprimi valltarët kalojnë në fazën tjetër ku lidhen sup më sup. Tendosen muskujt duke shprehur një unitet ashtu siç janë të lidhur edhe malet.

Një element tjetër i rëndësishëm i valles labe në përgjithësi dhe i valles së Vranishtit në veçanti është përplasja e këmbës fort në tokë, duke e thënë qartë se: Ky truall e kjo tokë / Shqiptarët njeh për zot… lëvizja e këmbës në formën e një shpate të mprehtë, edhe majtas djathtas, flet për atë që shpata e shqiptarit gjithmonë ka prerë në të dy krahët, ngado i kanë ardhur armiqtë. Dhe kjo lëvizje pasohet nga lëvizja tjetër, ajo e rrotullimit të valltarëve duke shprehur akoma më qartë dhe më mirë, se populli ynë ka luftuar gjithmonë në kushtet e rrethimit nga të gjitha anët nga armiq të shumtë.

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë luftuar me shpatë e pushkë, me kosore e sfurqe, me sëpata e gurë, prandaj ecja e valltarëve në gjunjë shpreh se edhe kur luftëtarët kanë qenë të plagosur e të gjymtuar, pa këmbë, dorë e nofulla, nuk janë tërhequr nga lufta, nuk janë përkulur e sprapsur, por kanë luftuar dhe rënë me nder, me fjalët në gojë: Ja vdekje, ja liri!

Një element tjetër në këtë valle është kërcimi i befasishëm i valltarëve, sepse shqiptarët armiqve të mëdhenj e të panumërt u kanë bërë ballë jo vetëm me mbrojtje heroike ballë për ballë, por edhe me sulme të befasishme, përmes të cilëve i kanë asgjësuar armiqtë duke dalë fitimtarë mbi ta.

Shkëputja e tre valltarëve, ecja e tyre më para të tjerëve, flet për karakterin e luftërave që ka bërë populli ynë gjatë shekujve, luftërat popullore, luftërat e çetave e njësiteve. Të gjithë ata virtuozë popullorë që e kanë kërcyer me elegancë e temperament, me mjeshtëri të madhe vallen e Vranishtit, ata kanë qenë edhe luftëtarë trima të përmendur, si: Mete Çobo, Sali Murati, Çelo Jonuzi, Hamzo Selmani, Kanan Sejdiu, Pasho Ramadani e më vonë Ismail Manja, Murat Abazi, Daut Xhebroj dhe deri te luftëtarët e Luftës Nacionalçlirimtare Hysen Çino, Laze Seferi, Nazif Qerimi, Çobo Osmëni e të tjerë.

Vallja e sotme e Vranishtit, ka vetëm pak ndryshim nga ajo e mëparshmja. Këto ndryshime artistike ajo i ka pësuar gjatë viteve si një evoluim i natyrshëm duke ruajtur plotësisht karakterin dhe fizionominë e saj. Ajo sot ekzekutohet me shumë dinamizëm ashtu si edhe jeta e shoqërisë sonë. Duke ndjekur me vëmendje lëvizjen e valles në skenë, ndjen afër ato vite kur u hodh ajo valle mes barutit e tymit të luftërave, mes predhave dhe alarmeve, mes jataganëve e maliherëve. Dhe vazhdon sot e kësaj dite që nga fëmijët e deri te burrat me shtatin e gjallë kjo valle, e përflakur me nota të lira, mes gurrës së gëzimit tonë popullor.

About Post Author