Mungesë-Llesh Gjoka


Mungesë bëhet ajri që s’po më mbush

Diçka nuk po shkon mirë me kohën

Sytë po më ikin larg

Dhe zemra diku lektis

Po më kotullohet pamja e pemëve

E murit të avllisë.

Këtu njerëzit u larguan me ditë

Lanë pas djerrinën e udhëve

Dyert e mbyllura pas vetes

Pemët e përkulura

Në një zakon përcjelljeje.

Lanë pas bishta cigaresh hedhur tutje

Shishe plastike bosh nëpër pellgje të trishtë

Tym dhe bori makinash në dalje

Zëra në largim si klithma pa moshë

Që gjymtonin trupin e një vendi pa mirëseardhje.

Mungesë bëhen ato hije që u vagëlluan

U mekën si dritë qiriri kur dolën nga hajatet

U tretën, u bënë udhë e përtejme

U bënë pragdere i pritjes së pakohë

U bënë shtegmalli fshatit, luginës së përrenjve.

Vetëm unë dhe ti vetmitarët e fundit

Marrim frymë me mungesën tonë prej të tjerëve.