Na takoi fati


/ZYBA HYSA/ 

Na takoi fati,
Për të zgjuar buzëqeshjen e mardhur,
Nga të pathënat e njerëzve q’kemi dashur,
Për të kompesuar mungesën e puthjeve ndër vite,
Për të vallëzuar me tinguj q’ndjehen,
Për tu ngazëllyer me fjalët e thëna ashtu, kot më kot,
Për tu dashur… kur jemi të shqetësuar,
Edhe më fort!!
Na takoi fati,
Për të pasur fat njëri – tjetrin në t’mirë e në t’keq,
Pa u betuar duke përsëritur fjalët e dikujt para altari,
Pa rrahur gjoksin për dashuri të përjetëshme,
Pa u munduar të djegësh “Shaminë e beqarit”,
Mes haresë së dasmorëve dhe kënaqësisë sime,
Pa më premtuar mua parajsën tokësore,
As pa të premtuar Unë një dashuri sublime…
Ashtu thjesht,
Duke u takuar, duke u dashur, duke u malluar,
Si pa vetëdije; ditë më ditë e çast për çast,
Për tu dashur shumë, shumë… kur jemi afër,
Por edhe më shumë, edhe më shumë…
Kur jemi larg!
Na takoi fati,
Fati s’është një pjatë me mjaltë,
Ku të mbushim lugën,
Apo të ngjyjmë me kafshatë…
Fati është, si të lëpishë mjaltë mbi gjemba,
Vetë jeta të dërgon në lëndina ëndrrash,
Ku dehesh me bukuri e jetën bekon me shpirt,
E më pas veç kur gjendesh,
Në të përpjeta, ku këmbadoras të duhet me u ngjitë
Pikërisht, atëherë, i duhemi më shuëm njëri – tjetrit,
Herë Ti të më mbashë përdore,
Herë Unë të t’mbajë përkrahu,
Gjer të dalim mbi bregore…
E q’andej të ulemi n’pushimin pas ngjitjes…
Eh, ç’momente kënaqësie,
Kur ulesh e pushon pas një vështirësie!

About Post Author