Namik Selmani
Beteja me të vërtetën

Mund të më numërosh kafshatat në tryezë.
Apo thasët që djersisin dhe shtyllën e kurrizit.
Po nuk ma fshin lotin që çan dhe gurin e kështjellës
Nuk mund të ma heqësh dot perden e trishtimit.
Mund të masësh forcën që ka muskuli në krah.
Kur ngrej një gur a prish muret e vjetra
Me një kronometër mund ta masësh hapin në vrap,
A mund të më masësh gjatësinë, qoftë dhe me milimetra.
Mund të më peshosh trupin në peshoren e lagjes.
Me një peshë që ndryshon kur ngrihem nga darka.
Po ma hoqe dhimbjen si prag shpërthimi vullkanesh
Aherë për mençurinë tënde do të jap dhjetë dekorata.
Mund të më numërosh gotat e verës që diku rrëkëllij.
Kur jam duardridhur a me sy të kuqëluar
Por atë, detin e paanë që brenda sokëllin
Nuk do të mundesh kurrë për ta deshifruar.
Mund të shënosh goditje dalte në gur mermeri
A lopatat e llaçit që shkon në themelet e reja.
Po para heshtjes së dhimbjes mos u bëj si memeci
Që nuk kuptohet kur flet me duar e shenja.
Se sinorët e dhimbjes janë mistere pa fund
Ku unë, dhe vetëm unë jam cicëronia më e mençur.
Mos më fol për ëndrra gjumi që s’do dalin kurrë
po vetëm për ngrohtësinë që do shpirti i djegur