Namik Selmani:Harta e rrudhave


Harta e rrudhave

Mos më gjykoni nga rrudhat e ballit, dorës dhe gushës!
Aty kam hartën më të saktë të jetës me mbresa.
Aty kam flladin prillan që puthte barin e fushës
Aty janë zilet e ditëve që më kërkonin të ecja.

Oo e njoh dhe në gjumë këtë hartë rrudhash
Jam vetë udhërrfyeseja e stacioneve ku ato zbritën.
E nuk dua të humb si një makinë mes mjegullash.
Të gjitha i kam takuar bujarisht natën dhe ditën.

Mos rrini pa gjumë, o njerëz kur numëroni rrudhat e të tjerëve!
Si ato brazdat kur bujku hedh farën e mirë të grurit.
Atje është hingëllima e kuajve mes lëmenjve.
Atje është vapa ku gjinkallat këndojnë majë gurit.

Atje ësntë një cigare pa çakmak në xhep e duar
Një filaxhan kafeje që ftohet në tryezë pa e pirë.
Është një daulle me lëkurën e çarë, të shpuar.
Atje është vazua ku mbolla së pari një karafil.

Mos më kërkoni të shkoj te transplanti I lëkurës
Ku mes buzëqeshjeve të shtirura zbrazet kuleta.
Jo, dua të mbetem e tëra mes brazdës së rrudhës
Me një këngë që dot nuk e këndova tek skena.

Harta e rrudhave nuk është kurrë hartë lufte
Ku drejtohen ushtarë, topa, avionë e bomba.
Aty janë guralecët e mbetur mes këpuce
Janë ditë më të bukura të pajetuara akoma

About Post Author