Namik Selmani:Urimi i Rokfelerit


Urimi i Rokfelerit

Tregim nga Namik Selmani

Oxhakët e Gjirokastrës ishin më të përkëdhelur në ato vite. Shumë më tepër se qoshët e shtëpive që donin gurë safi të gjendur për merak. Shumë më tepër se rrugicat që donin një gur të rregulluar e të dëmtuar nga shirat që zbrisnin teposhtë nga kalaja. Ishte një mjeshtër i rrallë në qytet, mbase dhe në mbarë Shqipërinë e Jugut, në Berat, ndë Korçë, në Libohovë, në Tepelenë, në fshatra e qytete. Dhe nuk kishte pak oxhakë edhe Berati, edhe Kruja apo Shkodra. Herë me dhoma të mëdha ose odatë me shilte, herë kokrra mollësh e kallinj gruri vareshin në muret e tyre. Në muzgje konakët mbusheshin me urimet e të zotit të shtëpisë apo të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Të gjithë drejtonin sytë nga oxhaku, nga zjarri i lisave, nga drita që shumë herë zëvendësonte edhe dritën e mekët të llampës. Diku ish gdhendur një shqiponjë, diku një bisk ulliri, diku ishte shkruar fjala e bukur “ Mirë se vini” që të mbesnin në sy gjatë gjithë asaj kohe që ti rrije aty e dëgjoje mençurinë që të vinte në mendje. E xha Lamja e kishte trashëguar zanatin edhe nga babai i tij Gjoleka. Kishte një vajzë, deli vajzë. Nga ato që iu këndohen, edhe kur nuk kanë dalë ende në sokakët e qytetit dhe nuk shkonin në pazar. Shumë rrallë shkonte në Sokakun e të Marrëve, ku Lamja e pinte kafenë. Mblidhej me burrat e lagjes dhe muhabetet nga nuk shkonin në atë odë të klubit. E herë edhe ia merrnin këngës. Një këngë të shtruar si ato gurët e malit apo si ato gurë që dikush i vinin në ato rrugë kur dilnin nga hapat e kuajve dhe të njerëzve. E bisedat e gjirokastritëve shkonin, nga nuk shkonin. Edhe te kurbeti edhe te kaçakët , edhe te dashuritë e e ndaluara, edhe te ajo Këngë Kafeneshë që përcilleshin njëra pas tjetrës si vargu i njerëzve që ngjiteshin atje lart te Qafa e Pazarit. Po atë ditë i erdhi në shteg që t’i thoshte për Albulenën. Rrallë nxirreshin fjalët e shtëpisë në Pazar, po ja që edhe një lloj pengu e kishte Usta Lamja. Këtë gjë dhe do ia thoshte miqve, se ata nuk ishin vetëm miq kafeje.. Ishte 17 vjeç vajza e në shtëpinë e tij kishin nisur që të shtoheshin miqtë e largët e të afërt, që nga ata që vinin me kuaj të bukur (kuaj për krushqi) edhe me tagji në shpinë për të ngrënë, por edhe të afërt nga lagjet e tjera të qytetit për ta marrë për nuse. Gëzohej shumë Lamja. Kush nuk do që të gëzojë sa më shpejt e më shumë në dasmën e fëmjëve të bëhej gjysh e, më tej, dikush ta uronte për dasmën e nipit dhe të mbesës??? O, sa i malluar ishte ai për dasmën e vajzës. Po një brengë të madhe kish. Një hall ta themi fshatçe. Kishte një brengë që ishte me e zjarrtë se zjarri bukulak i odave gjirokastrite edhe në Varosh edhe në Hazmurat, edhe në Palorto.

Pasi ia morën dy këngëve për Çeço Topullin dhe një këngë dashurie se si i erdhi për të mbyllur gojën. Vuv u bë atë ditë Usta Lamja.

-Pse s’flet më, more Lame? – e pyeti Agushi një fqinji i tij.

-Të të them një llaf vëllazërisht, more Agush? Do të ta them ty, po edhe sofrës. Po edhe për të keq nuk do ma merrni se po ju flas me dorë në zemër. Si miku mikut që nuk i ka asnjë borxh e nuk ia mbulon fytyrën për ndonjë gjunah. Po më rritet Albulena dhe nuk kam dot që t;i bëj një pajë të mirë. Të madhe edhe nuk e bëj dot po, të paktën, mos e lë pa pajë, se më vjen keq për të, por dhe turp më vjen. Se një prej jush do ma marrë për lypje. Jo, more vëllezër, jo, po ashtu si e thashë edhe më sëmbon.

Në tavolinë ishte dhe Dhimua një djalë i shkolluar që e dëgjoi dhe pak si me shaka i tha:

-More usta, ne jemi si jemi. Bukë e mish e raki kemi . Edhe për të kënduar libra, çoku e gjejmë nga një para se baballarët tanë na kanë lënë atë fjalën “Gjirokastra, qyteti i kadilerëve” po ti bëji një letër Rokfleretit. Ai është në Amerikë e thonë se është më i pasuri i botës. E ç’e ka ai aq para për një pajë. Sa një thërrime buke e ka në sofra.

-Nder të madh po më bën, more bir, – ia priti ai. Brenda asaj fjalë të Dhimos kishte edhe pak shaka ose romuze si i thonin.

Ai e besonte edhe këtë djalë të shkolluar.

-Kush do ma kërrejë në gjuhën e tij letrën? – e pyeti duke e parë sy më sy atë.

Ahhhhhaaa, i hyri detit Dhimua e duhet të lëvizte edhe këmbët edhe duart.

-Mirë more, Mjeshtër, mirë, do ta bëj unë një letër po të kthen a s’të kthen llaf, unë nuk e di .

-Na qoftë për hajër. Pooo, more, bir, mirë thua, ta bëjmë një herë mbase vë dorën në zëmër e na ndihmon.

Gjetën një kartë të pastër dhe ia nisi letrën. I thoshte se ishte pastrues i oxhakëve dhe se ia mbushte barkun me bukë me djersën e ndershme fëmijëve, po nuk mundej dot që ta martonin me një pajë të thjeshtë. U tha e u bë. Si një pëllumb i bardhë, letra brodhi qiejve shkoi në vise të largëta. Që pas një jave të gjithë e harruan atë letër që e shkruan atje në klubin e mbushur me fjalë burrash me pak erë rakie nga ato që bëhen për të zbukuruar shpirtërat njerëzorë. O, sa llafe thureshin në ato odë burrash. Shkoi meseleja e Lames. Po ,.. pas 6 muajsh një letër me sa e sa pulla sa mezi lexohej emri i atij që do ta merrte, erdhi në Gjirokastër. Kurbetçinjtë dërgonin shumë herë letra se, helbete, ato sillnin lajme kurbeti dhe ca njerëz që vinin dhe dërgonin derë më derë ca para që ua sillnin djemtë e tyre. Po këtë radhë letra vinte për Lamen, për Lamen që i kishte kërkuar të madhit të botës para për ta ndihmuar për atë pajë të vogël. E prapë Dhimua. Ai djalë që që para 6 muajsh e kishte mbyllur për herë të fundit letrën për në Amerikë. E hapi aty në mes të burrave. E lexoi me një frymë e qeshi pak nënë zë. Po Lamja që ia shihte çdo gjë që bënte ia priti:

-Pse qesh more bir? Ç’thotë?

Dhe aty në sy të burrave kur rakia e kafeja ishte vënë në çdo tavolinë, ai e lexoi “ I nderuari zoti Lame. E lexova letrën tuaj dhe më vjen shumë mrë që ti më beson një gjë të bukur dhe të dobishme për familjen tuaj. Është e vërtetë që unë jam sot njeriu më i pasur i botës, po kur nisa të bëj llogaritë, pashë se ty të takonin vetëm 5 dollarë. Më kuptoni dhe më ndjeni se nuk mund të jap më shumë”.

Diku në fund të letrës ishte vënë një kartë pesëdollarëshe. Dhimua e nxori atë letër me para dhe ia dorëzoi aty faqe për faqe të shokëve të gjitha usta Lames. Atë moment ai nuk foli. Mbante në duar një çibuk me një duhan të zgjedhur dhe nisi ta thithte pak më shumë se herët e tjera.

-Faleminderit, more bir, -iu drejtua Dhimos.- T’i rrosh prindërve dhe të të hamë dhe ty dasmën.

U ngrit dhe shkoi te rruga e shtëpisë. I menduar. Ç\të bënte me 5 dollarë? Goja nuk i thoshte asnjë fjalë për atë pasunikun nga Amerika. Ai e kishte nderuar atë dhe familjen se ia kishte kthyer përgjigjen. Ia kishte uruar dasmën e Albulenës. I kishte dhënë dhe 5 dollarë që ai nuk i kishte parë me sy se si ishin gjer në atë ditë. Bleu ca karamele në Sokakun e të Marrëve dhe mbushi duart me to. Të ëmbëlsoheshin Abulena dhe gruaja me të. Të nesërmen erdhën dhe tre burra të tjerë për të kërkuar vajzën për nuse.

About Post Author