Naser Pajaziti:Në Manastir disa herë është dhunuar dhe është tentuar ti vihet flaka Muzeut të Kongresit të Alfabetit


Naser Pajaziti

Në Manastir disa herë është dhunuar dhe është tentuar ti vihet flaka Muzeut të Kongresit të Alfabetit.

Kurrë nuk u zbuluan autorët???

Rasti i fundit ndodhi vetëm disa vite më parë gjatë pushtetit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, kur 4 veta kishin tentuar t’i vënë flakën.

Më 6 qershor të 2001 po në Manastir janë djegur rreth 80 shtëpi shqiptare nga huliganë dhe grupe paramilitare të organizuara si shenjë hakmarrje nga ajo që po ndodhte atëkohë me konfliktin e armatosur.

Në këtë “Natë të kristalt” u dogj edhe një radiostacion në gjuhën shqipe, pasi që deri në vitin 2001 në këtë qendër të alfabetit shqip funksiononin dy radio në gjuhën shqipe “Estrada Fonia” dhe “Jehona”, Shoqata Kulturore Artistike dhe disa klube.

Askush kurrë nuk ka dhënë përgjegjësi për këto vepra gjenocidi.

Shumë familje ikën dhe lanë përgjithmonë qytetin e tyre, në mungesë të sigurisë!

Sot e kësaj dite nuk ka shkollë shqipe, përpos një apo dy klasë që vijojnë mësimin në kuadër të shkollës fillore “Goce Dellçev”. Kurrë nuk u jetësua rikthimi i shkollës “Bashkimi”, që ishte një ëndërr dhe synim i manastirasëve.

Në vitin 2003 ishte hapur paralelja e parë shqipe në Gjimnazin e Manastirit, por ajo u mbyll për shkak të protestave masive të nxënësve maqedonas, që ishin kundër hapjes së saj dhe mësimit në gjuhën shqipe. Atëkohë ministër i Arsimit ishte rektori famoz, Azis Pollozhani, i cili pas dështimit të kësaj nisme, ishte larguar gjoja në udhëtim zyrtar, ndërsa vendimin për mbylljen e kësaj paraleleje e kishte kumtuar zëvendësministri i asaj kohe, duke thënë se mesazhi i nxënësve maqedonas të shkollave të mesme në Manastir është pranuar. Pra kjo ishte përgjegjësia dhe turpi, edhe pse në këtë rast ishte shkelur dispozita kushtetuese që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

Këto janë disa dromca të realitetit tonë që vështirë po akceptohet, nga mjegullnaja e tymnaja që na ka kapluar!!!

P.S.

E ndërlidha këtë me faktin se vetëm pas disa orëve u zbulua autori që i vuri flakën Qendrës Kulturore Bullgare në Manastir. Me shqetësuese janë një pjesë e madhe e komenteve që përkrahin dhunën dhe piromaninë?!

About Post Author