( Brezit tim dhe jo vetëm )
I kujtoj:
Qenë katër djem me kitarë,
Poshtë, në plepishtë,
Përballë konviktit, dhomës sonë 23.
Filiza plepash, që nata i përkundte.
Ajo natë ishte e tëra e tyre…
Do të kish kaq dashuri, të mos i thyente?
E kujtoj:
Edhe Ermirën me syze, e kujtoj.
I mbante me skelet të madh, të zi,
Babanë nëpunës e kish, në ministri.
Kujtimi i saj, syve të mi, kurrë s’iu sos.
Hutohej sa më shihte.
Isha i ri, simpatik, serioz.
Kujtoj atë natë:
Provimin e kisha fare pranë,
Por ajo, larg dhomës sime, larg.
(Tashmë na ndante një oqean.)
Iku nga studenti me njollë në biografi
Tek djali me baba gjeneral.
Ku ta dinte, e gjora, ç’fat do të kish ai djalë?!
Pas pak, tradhëtar ia quajtën babanë
E biografinë të çalë.
Atë natë
Hëna më dukej si një vajzë e turpshme.
Ermira faqeskuqur. Një javë pa e parë.
Isha para provimit të fundit.
A do më shkonte kështu mbarë?…
Po ajo natë u lidh me arrest.
Dikush do t’përballonte më të egrin test.
Si dukej një nga ata me kitarë,
Që atje poshtë me Celentanon bënin festë.
Se ja,
E hipën pranguar në Gazin 69 .
Zoti mos e dhëntë!…
Dhe kitarat në plepishtë vajtuan gjer në mëngjes…
Një prej katër filizave,
Që atë natë do të mirrte pambarimisht mungesë.
Ç’të kujtoj?
Atë natë të prindërve të mi,
Që prisnin me ankth
Kthimin tim të fundjavës në shtëpi?…
Po atë natë prapa portës e kisha lënë frikën.
Nata ishte e tërë e imja.
Provimi i fundit, përkulur mbi matematikën.
Edhe pse ajo s’do të bëhej kurrë profesioni im,
Ëngjëll mbrojtës do të qe, tërë jetën,
S’pata kurrë dyshim.
(Ermirë!
Pse dridheshe?
S’do mundja të të bëj keq, vërtet.
Nëse dashuria është dashuri,
Ajo kurrë nuk të vret.)
U ndezën herët dritat e Fly-it këtë mbrëmje!
Miqtë përreth më ndjellin dëshirën
T’u them ca vargje edhe për Ermirën.
Ndoshta paksa për të ndryshuar.
Nëse dashuria është dashuri
E nëse vërtet në jetë ke dashuruar,
S’do të vijë kurrë ajo ditë,
Që nga një natë të vdesë.
Ndaj dikur, edhe në s’qofsha më,
Këto vargje le të mbeten në kujtesë.