Nata po qahet-Halit Haliti


I ulur mbi gurin

Ku mbart peshën e mallit

Dua t’i zhvesh kujtimet

E t’i bëjë hi

Truallin e të parëve harruar

Siç zhduken kokrrat e zallit

Dhimbja përplasi mërzinë

Në dritaren e lagur me shi.

Ditët e mbarësuara nga malli

Thyejnë heshtjen e ferrit

Ecë rrugëve me kalldrëm

Shoh statuja të ngrime

Përkundem n’djepin e ëndërrave

E ti ikë territ.

Ditët ikin e vulosin kohën

E shkuar me ca lëndime.

Ëndërra më shpiu

Tek ” kroi i mbretit”

Ah sa shpejt aty shkova

Shpirti u flladit

E zemra nisi të qaj

Me lisat e malit

Ndaj dhembjen që kam

Edhe shkëmbinjtë

I vëra në vaj.

Të bëhem zog mali

Të fluturoj në lëndinën e thatë

Të shof nënën

Se si lodhshëm zvarrit këmbët

Thotë: s’kam më fuqi

Ka kohë që pres kthimin

Në vatrën tënde , o bir

Nata po qahet

Zemra më rri tek ti.