Natasha Limaj-Vargu ç’më bëhet litar



Natasha Limaj

VARGU Ç’MË BËHET LITAR

Ç’më bëre nëna natyrë, shpirtin ç’ma këndite zjarr
Ulur në cep të lëndinës, vargu ç’më bëhet litar…

Lule delet si katrena, këngëzim rimë e puthitur
Aliteracioni trupit, pleksur dredhëz e vesitur…

Bari si vargjet e lira, dallgëzimin tejpërtej
Nderur pelerin’e blertë, un’dehur heeej, moreee..heeej…

Gjethurinat ngjyra – ngjyra metaforë, metonimi
Ja dhe, a t’i dha natyra, moj hyjnorja poezi ?!..

Tërfili tercin’e “ Dantes “ bashkë me katrenën për dore
Me sonetin e “ Petrarkës “, shkoqin perla dashurore…

Gjëmbaçi gjëmba krekosur, si hiperbola më nge
Hapni sytë nga litota, mbytur onomatope…

S’ësht’e thënë ta lexoni, ç’t’i bëja nënës natyrë
Më futi zjarrin në gji, ndaj trokas në çdo figurë…

About Post Author