Elvira Zeneli
NATË E PËRJETSHME
Në ëndrrat e mia erdhe krejt papritur…
U zgjova symbyllur,
Sytë nuk doja t`i hapja,
Nga frika se mund të më ikje
E dot më s’të kapja!
Si tokë e zhuritur
Buzën e tharë e njoma
Me dashuri!
Nuk do të lëshoj deri në agim,
Te dehemi marrëzisht me dashuri!
Çdo dashuri e ka një çmim,
Le të derdhet vera mbi trupin tim…!
Këtë natë qenkam si Rozafë
E u përpëlitkam në baladë!
Le të jetë kjo Ura e dashurisë
Dhe unë flija e saj!
Por një zë më pëshpërit:
Ti nuk je flija,
Je përjetësia!
Në kopshtin e Edenit nuk ka përkohshmëri,
S’ka turp e mëkat…!
Euridika dhe Orfeu
Njëqind vjet jetuan këtë natë!