Natë në dasmë-Llesh Gjoka


Të dehur sonte qenkan yjet
në kubenë e qiellit paqësor
Dasmorë të vonë do të jenë
në spektaklin e bukur mbrëmësor.

Hëna këndin ia lëshon nuses
të ndriçojë shkallët me të bardha
Dhëndrri i ri me hije princi
A thua doli prej përrallash?!

Erë e lehtë pështjell gaz e këngë
Hov po merr ajo vallja e parë
Oshëtima hapet nëpër natë
Nuk ka gjumë kjo natë e bardhë.

Lulet e oborrit sonte paskan dritë
Ajri shkund vesën për bukuri
Nusja jelekun me temina
shkëlqen plot nur dhe hijeshi.

Sa shumë do zgjasë deri nesër
Agimi më vonë do të zbardhë
Se yjet sonte janë të dehur
dhe hënë e bukur ndrit mbi shkallë.