Naum Veqilharxhi,Themelues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare:Nga Rizan Kazazi


Punoi: Rizan Kazazi

Naum Veqilharxhi, Themelues i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Rilindja Shqiptare dhe Naum Vegjilharxhi janë dy elemente të lidhura ngushtë me njëri tjetrin. Kjo për vetë faktin, se e pranuar nga Historiografia Shqiptare, Rilindja Shqiptare fillon me veprimtarinë e Naum Veqilharxhit. Në këtë shkrim, do të kemi mundësi të njohim disa fakte dhe rrethana të mjedisit shqiptar të kohës, veprimtarinë e Vegjilharxhit, përgatitjen e tij kulturore, programin e tij ideologjik dhe impaktin që pati në zhvillimin e mëtejshëm të Rilindjes Shqiptare.
Naum Panajot Bredhi u lind më 1797 në fshatin Vithkuq të Korcës. Mësimet e para i mori në vendlindje por me shkatërrimin e Vithkuqit në vitin 1819, u detyrua të emigrojë familjarisht për në Vllahi (Rumani). Në këtë vend vazhdoi studimet ku u njoh me idete e Iluminizmit, të cilat ishin përhapur në këto territore si rezultat i shkëmbimit tregtar, intelektual dhe politik me vendet perëndimore. Në këtë periudhë ishte dhe koha e luftërave Napoleonike dhe përhapja e ideve të Revolucionit Francez. Këto ide kishin gjetur terren në Principatat Rumune për tu përhaupr e zhvilluar. Kjo lidhej me faktin se këto territore ishin të sunduara nga Osmanët, te cilët kishin konflikte me popujt vendas për shkak të politikave të tyre shtypëse. Që në këtë kohë, Naum Vegjilharxhi, duhet të jetë brumosur me idetë revolucionare dhe idealin e popujve të lirë të cilët hidhnin tej tiraninë e pushtuesve dhe shtresave të vjetra aristokratike. Akoma student, mori pjesë në Kryengritjen e Vllahisë së vitit 1821, e cila drejtohej nga Aleksandër Ypsilanti. Pas dështimit të kësaj kryengritje, Naum Veqilharxhi u detyrua të mërgojë nga Vllahia dhe u vendos në Rusi. Ka të dhëna që familja e tij ishte vendosur në Kishinjev dhe që kushtet ekonomike të saj nuk ishin të mira. Gjithsesi dhe në këto rrethana, Naum Vegjilharxhi nuk hoqi dorë nga idealet e tij të vjetra. Tani ai filloi të krijojë vepra që ndihmonin në formimin e Identitetit Kombëtar te Shqiptarët.
Pas një farë kohe, u vendos në Braila të Rumanisë, ku në sajë të arsimimit dhe formimit filloi të punojë në profesionin e avokatit. Kjo i mundësoi të krijojë kushte më të mira jetese për veten, të ketë lidhje me komunitete të tjera shqiptarësh të mërguar dhe njëkohësisht të thithë idetë më përparimtare të kohës që vinin nga Perëndimi. Ai i përkushtohet zhvillimit të Kulturës Shqiptare duke krijuar një nga themelet e saj, në aspektin historik. Duhet të dimë se Rilindja shqiptare u zhvillua në dy aspekte: lufta e Armatosur dhe lufta me Penë. Në dallim nga rinia, ku Naum Vegjilharxhi mori pjesë ne revolucione të armatosura, tani edhe me fomimin e tij të mëtejshëm intelektual, u bë më i ekuilibruar duke mos i kërkuar të gjitha zgjidhjet me luftë të armatosur. Ai filloi të interesohet për zhvillimin e Shqipërisë, në formimn e ndjenjës kombëtare tek Shqiptarët dhe në krijimin e identitetit individual si popull. Kjo sipas tij, do të bëhej vetëm nëse Shqiptarët do të mësonin të shkruanin dhe lexonin në Gjuhën Shqipe. Gjuhën, Naum Vegjilharxhi e vlerësonte si një nga elementet thelbësorë të popujve, e cila bënte të mundur mosasimilimin nga popuj te tjerë dhe vazhdimin e egzistencës së tyre. Për Vegjilharxhin, gjuha do të ishte elementi që do ti ndihmonte shqiptarët që të krijonin identitetin e tyre dhe të bashkoheshin si komb. Këtu do të theksojmë se pjesa më e madhe e popullit shqiptar nuk dinte të lexonte e të shkruante. Për më tepër që i përkisnin tre besimeve fetare të ndryshme, element që në këtë rast nuk ndihmonte në shpejtimin e krijimit të identitetit kombëtar. Prapambetja ekonomike dhe për rrjedhojë ajo kulturore vinte si rezultat i politikave shtypëse që ushtronte pushtuesi osman. Në këtë kohe kishte edhe faktorë të tjerë që pengonin zhvillimin e Kulturës Shqiptare. Qarqet shovinste greke, kundërshtonin me forcë cdo shfaqe të identitetit shqiptar sepse dëshironin që në të ardhmen, ta shtrinin pushtetin e tyre në territore me kombësi shqiptare, ku elementi shqiptar të asimilohej në elementin grek..Duke e ndjerë rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare dhe asimilimin e kombit shqiptar, nëse situata do të vazndonte e tillë, Veqilharxhi i’u vu punës për krijimin e një Alfabeti shqip, i cili do të ndihmonte në ruajtjen dhe zhvillimin e Gjuhës Shqipe. Midis viteve 1824 dhe 1825, ai krijoi një Alfabet të ri me 33 karaktere, të cilat u kujdes që të ishin të vecanta dhe të mos lidheshin me aspekte fetare ose politike. Naum Vegjilharxhi dëshironte të tregohej i matur me përdorimin e elementeve që lidheshin me fenë ose politikën sepse në cdo rast mund të rrezikohej uniteti akoma i dobët i shqiptarëve. Edhe pse alfabeti u krijua që në vitin 1825, ai mundi të botohej për përdorim praktik, në vitin 1844 me titullin “Fort i Shkurtër e i përdorshëm Ëvetar shqip” i cili kishte katër fletë me Alfabetin në to. Evetari i Naum Vegjilharxhit u prit me entuziazëm në krahinat jugore të Shqipërisë si në; Korcë, Berat, Përmet dhe Gjirokastër. Ky botim që shoqërohej me një hyrje, i bënte jehonë Gjuhës Shqipe dhe kërkonte që shqiptarët të mësonin të shkruanin dhe lexonin shqip. Me botimin e Abetares së Parë Shqipe, Naum Vegjilharxhi bëri dhe shumë armiq vecanërisht ata filogrekë por i patundur në rrugën e tij, ai botoi edhe një Evetar tjetër në vitin 1845, i cili ishte një plotësim i atij të parit me titull “Fare i Ri Evetar Shqip”. Në veprimtarinë e tij patriotike, Naum Vegjilharxhi u ndihmua nga shoqëritë e shqiptarëve të mërguar. Edhe pse qe një nga përpjekjet e para serioze për zhvillimin e Gjuhës Shqipe, Alfabeti i Vegjilharxhit, për shkak te vështirësisë të të mësuarit praktik, nuk gjeti shumë përhapje. Gjithsesi ka të dhëna që në krahinat Juglindore, Alfabeti i Naum Vegjilharxhit, vazhdonte të përdorej si libër mësimi edhe pas 10 vjetësh. Naum Vegjilharxhi nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij patriotike me Abetaren e tij. Ai filloi të bashkëpunonte me shoqëri kulturore dhe me Shqiptarë të Diasporës, si me ata në Rumani apo edhe me Arbëreshët e Italisë. Ka të dhëna që Vegjilharxhi, mbante korrespondecë me Jeronim De Radën e Arbëreshëve, i cili me rastin e botimeve të tij kushtuar Shqiptarëve si: “Hyjnitë Pellzgjike” apo “Këngët e Milosaos” mori një letër urimi nga Naum Vegjilharxhi.
Me 22 Prill 1845 qytetarët e Korcës me në krye Athanas Paskalin, i cojnë një letër, Naum Vegjilharxhit, ku i shprehin nderimet e tyre dhe ndër të tjera i kërkojnë të sjellë Abetare të tjera për të mësuar në shqip. Kjo datë është marrë si pikënisje e Rilindjes Shqiptare nga historianët shqiptarë. Në vitet 1845-1846, ka një lëvizje antifanariote dhe antiosman e cila shoqërohet me botime të Naum Vegjilharxhit, me një Enciklikë (leterqarkore) dhe një letër dërguar të nipit filogrek, Jani Cali, më 7 Prill 1846, ku shprehen ne parim idetë e para të Rilindjes Shqiptare. Këto ide ishin; Lëvrimi i Gjuhës Shqipe, krijimi i një Alfabeti Shqiptar, Bashkimi i Shqiptarëve pavarësisht Fesë, hedhja dritë në të kaluarën historike, nxitja dhe forcimi i Identitetit Shqiptar si një i tërë etj.

Nga sa u tha më sipër arrijmë në përfundimin se Naum Vegjilharxhi ishte i pari që hapi atë lëvizje, që do të quhej Rilindja Shqiptare. Ai mund të konsiderohet pena e parë e Rilindjes. Naum Vegjilharxhi formoi shpirtin ideologjik të Rilindjes, karakterin dhe filozofinë e saj. Ai luftoi mbi të gjitha që shqiptari të dinte, të mësonte, se ishte shqiptar, se kishte qenë shqiptar. Kjo nuk do të arrihej pa formimin e tij të madh kulturor, pa idealet, pa sakrificat dhe vuajtjet që ai kaloi për realizimin e këtyre idealeve. Në filozofinë e Rilindjes, e cila njehsohej me idealet e Naum Vegjilharxhit qëndronte në themel: lufta e popullit shqiptar për liri kundër pushtuesit, nevojat për dije, Nxitjen për krijimin e një ndjenje kombëtare, zhvillimin e kulturës vendase, kërkesat për një jetë më të mirë dhe dinjitet midis popujve të tjerë. Naum Vegjilharxhi ishte nismëtari i një levizje, e cila nga një lëvizje kulturore në fillim, do të evolonte me kalimin e kohës në një lëvizje me tipare politike, në një farë mënyre e detyruar nga rrethanat historike dhe gjeopolitike të kohës por mbi të giitha shprehëse e kërkesave të drejtpërdrejta të popullit shqiptar. Kulmin kjo lëvizje e arriti me shpalljen e Pavarësise së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ky moment ishte fryt i një pune të nisur që nga Naum Vegjilharxhi dhe e pasuruar nga veprimtaria e shumë rilindasve dhe patriotëve të tjerë. Në fund të fundit mund të pranohet se Naum Vegilharxhi ishte nismëtar i një lëvizje, e cila coi në Pavarësinë e Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane pas një robërie pesë shekullore.