Shkruan Nazif Laçi
B I N Ç A

Binça është ndër vendbanimet më të lashta, në Moravë të Epërme. Fshati Binçë si vendbanim përmendët zyrtarisht qysh në vitin 1019 në hartën apo kartelën (“Hrisovulë” – dokument zyrtar historik) e Perandorit Basilit II (Perandor që sundoi nga viti 976 deri vitin 1025), përmendët si vend i rëndësishëm bizantin. Kurse, në “hrisovulën” kartelën e mbretit bullgar Konstantin Asen-it, Binça përmendet po ashtu vitin 1258, me emërin Bineç dhe ku cekën se kishte tri kisha dhe rreth 500 banorë me një ekonomi mirë të zhvilluar. Binça, është një fshat i bukur pitoresk, i rrethuar me bjeshkët e larta të Maleve të Zeza “Montenegro” (zonë kufitare Kosovë-Maqedoni).
Fshati ndodhet në pjerrtësitë jugperëndimore të maleve të Karadakut, dhe është, një ndër fshatrat më të lashtë të Anës së Moravës. Binça përshkohet nga lumi i madh, ose si quhet ndryshe lumi i Binçës, apo Morava e Binçës, e cila ka burimin diku rreth 18 km larg nga fshati. Këtë bukuri të rrallë, e pasuri të madhe natyrore rrafshinore-malore, e zbukurojnë lumi Morava dhe lumi tjetër, të cilin populli e quan edhe “lumi i vogël” si dhe “jazi” lumi i vogël, i cili kalon në anën tjetër të Binçës, nëpër pjesën e quajtur Razorë (jazorë, jazë apo edhe rrezorë). Gjithë ky pejzazh, i jep bukurinë e saj magjepse, me prapavijën e kodrave dhe maleve, fushën pjellore, shtëpitë e bukura, rrugët e ndriçuara dhe të bukura, të cilat e lidhin Binçën, me pjesët e saj Razorën (e pasur me një “jazë” dhe fusha të ngritura, livadhe), pastaj lagjen Shushtë (me një grykë të mrekullueshme fushore përmes së cilës kalon lumi Moravë) dhe fshatin Kabash. Këto të gjitha lidhen me qytetin komunal, pra Vitinë që është larg Binçës 1.5 km. Ky fshat i bukur, është i banuar me popullatë me shekuj dhe ka një histori të lashtë Iliro-romake, mirëpo jo mjaftë të gjurmuar dhe ndriçuar. Popullata është shqiptare dhe katolike (me përjashtim të disa familje shqiptare të përkatësisë fetare muslimane që kohëve të fundit kanë ardhur, kanë ndërtuar shtëpi e janë vendosur në Binçë), pastaj Shushtëve, një lagje me shqiptarë myslimanë, me të cilët gjithnjë jetojnë vëllazërisht dhe bashkërisht. Në Binçë ka edhe disa familje serbe, me përkatësi fetare ortodokse, të integruara deri diku në bashkësinë tonë edhe pse sipas disa dëshmive, më herët edhe ata ishin të përkatësisë kombëtare shqiptare por të fesë ortodokse ose të besimit të krishterë por të ritit lindor, kurse tani e disa dekada janë tërësisht të asimiluan dhe e ndiejnë veten e tyre serbë.Rreth emërtimit të fshatit, ekzistojnë disa interpretime, apo zbërthime historike dhe etimologjike. Disa thonë se fjala Binçë rrjedh nga fjala BIS apo BINEKSIS Bineç), sipas dy lumenjve që bashkohen pikërisht në fshat dhe që e karakterizojnë këtë vendbanim (por me gjasë edhe të dy kalave që qëndrojnë njëra përballë tjetrës). Kurse disa interpretime të tjera pohojnë se emërtimi Binçë rrjedhë prej qytetit të lashtë iliro – romak ARRIBANTIUM, që sipas tyre, është Binça e sotme, saktësisht vendi në rrafshin e kodrinës mbi rrënojat e kalasë së vjetër të fshatit. Këtë vështrim dhe interpretim, i cili duket të jetë mjaftë i saktë dhe i besueshëm, e vërteton edhe kalaja e lashtë dhe e moçme, e cila gjendet në afërsi dhe është e ngjitur me fshat, në të cilën gjenden shumë gropa, zgafellja, korridore nëntokësore nga janë nxjerrjen e xeheve dhe mineraleve. Ndërkaq, përveç tjerash, në favor të këtij argumenti shkojnë dhe dëshmojnë edhe vet themelet e godinave me gurë deri vonë të pashëm. Këta gurë sot dihen edhe nga të dhënat gojore, të cilat thonë se i tërë fshati i sotëm (po edhe disa fshatëra të afërta) është ndërtua nga ata gurë të gdhendur, të cilët janë nxjerrë e bartur nga kalaja, apo “rrafshi i kalasë” që atëherë ishte dhe sot ende quhet “Çarshia”.67 Disa pjesë lartë, tregojnë se diku në kohërat e lashta ishte një vendbanim i bukur (sipas gojëdhënave e gjitha gjasave, një qytet i bukur), e që gjatë historisë ai qytet u lëshua (për shkaqe ende të panjohura) disa qindra metra më poshtë në rrafsh e buzë lumit nga u krijua vendbanimi i ri, pra fshati i sotëm Binça. Mirëpo, në traditën gojore ende ruhen emërtimet e rrugëve dhe rrugicave larta mbi kala apo “ rrafshin e kalasë ” siç janë: “Çarshia”, „ Shën Prena“, “Rruga e Pjetrit” “Koshtane”, (koshtanzë), “Poslonishtë”- Punishte , “Bunari i Lazërit” „Zalli i verdhë“ (rëra e kaltër) etj..). Mbi “Rrafshinën e Kalasë” ku deri vonë ruheshin edhe shiheshin themele të shtëpive, ndërtimeve dhe kullave tjera, sot ende gjendet si gjurmë edhe një kishës (kapelë e vogël), të cilën në kohërat e reja, e meremetuan dhe e uzurpuan, adaptuan së bashku me tokë e pyll, po edhe vet tumën Ilire (ku sot janë varrezat serbe) serbët lokalë. Kjo sot është pronë e kishës ortodokse. Mirëpo, që nga kohërat më të lashta dhe tradicionalisht banorët (besimtarët) e fshatit, ata të besimit katolikë shqiptarë, ende shtegtojnë atje ku paraqesin lutjet e tyre, sidomos është në traditë të shtegtohet atje për festën e Shën Prenës, “Sv. Petka” siç i thonë serbët, apo si e njohin ne Shën Prena së cilës edhe i është e kushtuar kjo kapelë. Por, fatkeqësisht, me përkeqësimin e situatës politike, edhe kjo traditë e lashtë popullore u la pak anash nga banorët e fshatit. Kjo kapelë, sipas gjitha gjasave është e ndërtuar tradicionalisht mbi themele të një kishe të lashtë paleokristiane, shqiptaro-katolike. (Flitet se në këtë hapësirë ka pasur kishë qysh nga shekulli i pestë).
Po ashtu edhe një pjesë e Binçës së sotme quhet “BARICË”, toponim ky që ka lidhëshmëri me emërtimin e vjetër. Mirëpo, edhe gjurëmët dhe gjetjet e para disa viteve të disa gypave të ujësjellësve në „Kozaricë“, pjesë e Baricës = Bari (që sipas gjitha gjasave datojnë nga kohërat iliro – romake), nga një fshatar (Shefk Matiq (Shefki i Markut), dëshmojnë dhe flasin mbi lashtësinë e kësaj pjese dhe të këtij fshati, vendbanimi. Sidoqoftë, është koha që historianët dhe arkeologët tanë të punojnë dhe të zbardhin më tepër historinë e vendbanimit (dikur qytet) fshatit më të lashtë në këto anë dhe me këtë të dëshmohet edhe shkencërisht lashtësia e këtij vendbanimi me rrethinë.
Binça si fshat përmendet shpeshherë në histori e në shkrime të ndryshme, të shumë udhëpërshkruesve të ndryshëm, të historianëve si dhe prelatëve Kishtar e këtë e bënë edhe Imzot Pjetër Mazrekut në relacionin mbi Martirët e Karadakut, ku ndër të tjera ai përmend edhe Binçën atëherë si filiale e Letnicës (Monte Negro). Por, gjatë këtyre shtatëdhjetë (70) viteve të fundit, famullia ka përjetuar një lulëzim dhe përparim të jashtëzakonshëm, në çdo kuptim dhe drejtim. Ky vendbanim, fshat, pra Binça përfshinë edhe Kabashin dhe Vitinë sa i përket juridiksionit fetarë, pra është famulli (qendër) me dy vendbanime tjera si filiala. Në Kabash përbërja etnike dhe fetare është kjo: shqiptarë katolikë dhe shqiptarë myslimanë, dikur kishte edhe disa familje serbe e bullgare, vllehe (të sjellur nga i ashtuquajturi Kral Petri i Malit të Zi), të cilat pas luftës së vitit 1999 janë shpërngulur gjetiu. Këto tre njësi kanë këtë numër të besimtarëve katolik të pranishëm; Binça 150; Kabashi rreth 700 dhe Vitia 60/70, pra gjithsej rreth 1000 besimtarë shqiptarë katolik. Përkohësisht në botën e jashtme janë afër 1600/700 besimtarë. Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi dr. Smiljan Franjo Çekada (1940-1967), ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e flijimit të Martirëve të Karadakut (1846-1848), të njohur si martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terziajve.68
Fragment nga libri Gjenocidi serb në Moravë të Epërme,1968-1999