Ndën rrezet e hënës:Bilbil Murataj


NDËN RREZET E HËNËS

Të pashë në livadhe

Duke mbledhur bar,

Lehtë t’u afrova,

Si sheleg, manar

@

Balli yt i bukur,

Mbuluar nga djersa,

Këmbët si kunadhe,

T’i kish lagur vesa

@

S’deshe të më shihje,

A vërtetë s’më pe,

Ti vazhdoje punën

Me sytë përdhe

@

Djalë, do të lutem,

Largohu nga unë,

Do na shohë babai,

Do na hapësh punë

@

Ndaj ik sa më shpejt,

Ku ke për të shkuar,

Tjetër kohë e lëmë

Ne për t’u takuar

@

Larg syve të fshatit,

Të babait, nënës,

Sa të ulet dielli,

Ndën rrezet e hënës

@

Shihemi në mbrëmje,

Do të jetë më mirë,

Të rrimë përqafuar

Deri në të gdhirë …

@ Copyright 2023

Të gjitha të drejtat – autori