Nderim për partizanin Aziz Qerim Rexhepaj-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Shtëpia e Qerim Kapos

Në Vranisht, përballë shtëpisë së Heroit të Popullit, Sali Muratit, në lagjen Gjokaj, gjendet shtëpia e Qerim Kapos. Është një shtëpi e ndërtuar me stilin e vjetër, me portë, me avlli, me dy kate, më shkallët nga jashtë. Në këtë shtëpi, me tradita të larta patriotike, u rrit e u burrërua Qerim Kapua. Këtu u martua me një vajzë nga fshati Tërbaç e quajtur Gjyslyme Karafilaj, po një fis i nderuar si gjithë tërbaçiotët, për të vazhduar lidhje me fiset Abazaj, Lushaj, Shirokaj etj. Qermi Kapua ju gëzua lindjes së fëmijëve: Kafaze, Shyqyri, Aziz, Naze, Nakie dhe Hairi.

Qerim Kapua ishte një ndër ata burra vranishnjotë që e formoi personalitetin e tij të rrallë, duke i ruajtur simbolet e traditës familjare e duke krijuar marrëdhënie të reja e të forta me njerëzit sa që edhe atyre, me të cilët shkëmbente një herë kutinë e duhanit, apo pinte një gotë raki, u krijonte përshtypje se kishte vite që ishin bërë miq. Sensi i tij në motivet e ditës ishte të punonte dhe të kishte sa më shumë shoqëri e miq, në xhami e shtëpi (siç thoshnin në atë kohë). Dera e Qerim Kapos ishte një derë e hapur, për mikun në çdo kohë, edhe natën … Nga kjo mikpritje e rrallë, si shumë shtëpi të tjera vranishnjote fituan edhe fëmijët e tij, sesi të duan njeri-tjetrin, në marrëdhëniet fëmijë-prindër, motër-vëlla.

Miqtë në shtëpinë e Qerimi Kapos gjithmonë gjenin harmoni, këngë e muhabet të natyrës së atdhetare. Ai ishte një patriot i dëgjuar, sepse kishte marrë pjesë në lëvizjen demokratike, në luftëra për lirinë e atdheut. Në këto luftëra kishte njohur shumë figura të përmendura në historinë e Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë. Në këtë shtrat patriotik u frymëzuan të gjithë fëmijët e tij, të cilët u lidhën pazgjidhshmërisht me epopenë e Luftës Nacionalçlirimtare. Kujtimet e veteranëve dhe dokumentet e tjera, dekorimet dhe fjalët e tjera të ngrohta e të thjeshta të njerëzve të ndryshëm, dëshmojnë për krenarinë e tyre në faqet e arta të historisë që u shkrua me gjak.

Azizi u lidh me lëvizjen e doli partian

Mes fëmijëve të Qerim Kapos, në vitet e luftës, u shqua Asizi, i cili në zemrën e tij të madhe, kishte mbledhur rrezet e para të lirisë, u ngroh me to në ngrica e në marshime, i ktheu në një zjarr të madh për njerëzit, gjersa shkriu edhe vetë si një meteor që bie e bashkohet me dritën e yjeve të tjerë në qiellin e pastër të lirisë. Azizi kaloi një fëmini me klimë të ashpër ekonomike. Ndjeu në kurriz një jetë të vështirë… Lidhja e tij me lëvizjen, kishte përkrahjen e plotë të të gjithë familjes, babait, vëllait dhe motrave. Si i ri komunist, i vuri detyrë vetes të aktivizohej në luftë për të nderuar veten, në radhë të pare, fisin dhe të afërmit e tij. Kështu, nga shembulli i tij u radhitën në çetën partizane, kushërinjtë e tij Razip Leskaj, i cili pas disa aksioneve kundër armikut, si rrëmbimi i shtypshkronjës “Atdheu” në njësitin gueril të Vlorës, bie dëshmor në pritë me gjermanët; Mane Leskaj, kushërinjtë e parë Nazif, Çaush, Peshqeshe, Sami dhe Mystehak, të cilët kundër armikut, treguan guxim e trimëri.

Më 25 gusht 1943, njëzetë e katë djemtë e zgjedhur e të provuar në aksione luftarake të organizuara kundër armikut u mblodhën e u rreshtuan partizan në çetën “Sali Murati”. Bashkëluftëtarë të Sali Kapedanit dhe Azem Sulos me rrudha në ballë e në faqe, përshëndetën krijimin e çetës dhe i përcollën djemtë në rrugën e lirisë… Në krye të një skuadre qëndronte partizani Asiz Qerimi, i njohur me emrin ilegal, “Gocera”, një shkëmb i lartë në malin e Çikës. Çeta u shqua në luftime kundër forcave pushtuese në Libohovë e Drashovicë, në zonën e Këlcyrës, në Qafë të Kiçokut e në Mavrovë. Aziz Qerimi, u shqua si luftëtar trim i kësaj çete. Më vonë Asizi hyri në batalionin “Halim Xhelo” dhe me formimin e BrVS dhe u bë efektiv i saj deri në fund të luftës.

Qafa e Gjarpërit dhe letra nga Kosova

Në pranverën e vitit 1944 një gjarpër, që kokën e kishte mbështetur në Qafë të Gjarpërit dhe bishtin e zvarriste nëpër Europë, kishte zënë vendin. Ishte një gjarpër i gjatë që nuk ngopej me gjak, që në sytë e tij të mëdhenj e të vrazhdë lexohej vetëm vdekja. Nga trupi i tij nxirrnin kokën helmeta e gryka murtajash e artilerie të rëndë. Nga goja e tij që nxirrte flakë, pritej të dilnin si me sustë e të hidheshin me qindra njerëz të veshur ushtarake me thirrjen: “Hail Hitler”, në gojë. Ishin forca të shumta gjermane që në planet e tyre kishin goditjen e Kongresit të Përmetit… komanda e batalionit e caktoi Azizin komandant të kompanisë. Shokët që ranë në këtë betejë i kishte gjithnjë në krahë: të gjallë, të frymëzuar, sidomos shokun e vjetër të llogores komandantin trim, Vasil Gjiknuri.

Lesko Çeloleskaj e ruante prej 30 vjetësh në valixhen e tij të drunjtë, letrën e botuar një gazetë lokale. Ishte zverdhur nga vitet, por kishe një aromë të ngrohtë dhe frymë njeriu. “Të dashur prindër, kam një kohë të gjatë që nuk u kam shkruar. Që kur u nisëm nga Shqipëria nuk kam qëndruar një minutë; gjithmonë në ndjekje të armikut të urryer, të atij që kaq e bëri popullin tonë të vuaj. Dhe kudo i kemi dhënë grushte të rënda saqë e kemi bërë të humbasë fare toruan dhe të vërtitej andej-këndej.

Mbrëmjet, nëpër shtëpitë që shkojmë për t’u gdhirë, pasi kemi çliruar ndonjë qytet apo fshat, pritja që na kanë bërë ka qenë e tillë sa që unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj… Unë jam bërë komandant i kompanisë së dytë. Me shokët shkoj shumë mirë e gjer sot asnjë shok s’kemi humbur në luftë, megjithëse çdo ditë jemi në përpjekje. Ne kemi vendosur të shkojmë drejt Berlinit. Atje do të piqemi me të gjithë ushtarët e bllokut të madh antifashist. Pastaj, si të kemi kryer detyrën, do të kthehemi fitimtarë…”.

Ngeli jetësor në kujtime

Asiz Qerim Rexhepaj ka vite që ka vdekur, por të afërmit, nipërit e mbesat, shokët e luftës e të punës, bashkëfshatarët e bashkëqytetarët, miq të familjes e kujtojnë gjithmonë duke e bërë sa më jetësor në kujtimet e mbresat për të. Fotografitë nëpër muret e shtëpive, në muze e albume familjare, flasin me gjuhën e një prezence reale. Çdo fije e thjeshtë e një kujtimi të largët të shpinte atje. Jeta e atij njeriu të bëhet një urë lidhëse prej gjaku që ta afron atë para syve çdo ditë, çdo orë. Bashkë me portretin e tij, të shfaqen copa-copa jete e grupe njerëzish të ndryshëm, ambjente simetrike me një komoditet të rrallë, siç i kishte shijet, ai vetë.

Të shkruash për njerëz të mëdhenj është më e lehtë sepse, veç popullit të thjeshtë që di të flasë bukur për ta, ata kanë edhe firmën e personaliteteve të larta, ndërsa për një njeri të thjeshtë, veç të thjeshtëve gojëmbël, duhet të kërkosh edhe filozofitë e të mëdhenjve. Kur shkruan për një djalë, që, në rininë e tij, mori armën dhe doli maleve partizan, u ndesh me kundërshtarin politik, u takua me udhëheqës, u gradua, luftoi bashkë me shokët, ra në përpjekje me armikun, kaloi shtigje, qafa malesh, drejtoi formacione partizane, punoi në front të vështirë, pas luftës. Jeta e tij përmblidhet në sintezën e veprës së tij: partizan i thjeshtë, komandat i urtë, i vendosur gjer në fund të jetës së tij, për ndryshimin e Shqipërisë së re, siç e ëndërruan dëshmorët e lirisë.

Njerëzit, e duam njëri-tjetrin, dikë më shumë e dikë më pak. Por njeriun që do më shumë gjithmonë kërkon ta kesh pranë ta dëgjosh, të bisedosh, ta shohësh në sy e të flasësh gjatë me të. Por, jeta e shkurtër apo e gjatë, të largon përkohësisht, jo përgjithnjë; kështu ndodh edhe me këtë njeri, shumë të dashur për të gjithë, Asiz Qerim Rexhepaj.

Avni Varfi që shkroi librin për partizanin që do takohej në Berlin

Avni Varfi ka lindur në fshatin Vranisht, më 31 dhjetor 1951. Pas mësimeve në vendlindje, vijoi shkollën e mesme “Halim Xhelo”, të cilën e përfundoi në vitin 1969, me rezultate të larta. Por, për arsye biografike, nuk iu dha shkolla e lartë. Vijoi shkollën e mesme Industriale “Pavarësia”, dega Elektrike. Punoi në vendlindje si elektricist. Mjaft poezi i botoi në shtypin e kohës: gazetën “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Zëri i Vlorës”, “Labëria”, “Hora” etj. Botimet e këtij autori gjetën përhapje në Labëri: “Rrathët e kujtesës” (poezi) 1991, “Kapedani i Labërisë, Azem Sulo” (monografi) 1991, “Puthje në Berlin” (monografi) 2004, “S’kam kohë” (poezi) 2007, “Kthehem në ekran” 2020 etj.

Mendimi kritik dhe letrar ka përcaktuar qartë edhe fizionominë e poezisë së tij. Agim Shehu shkruan se “Avni Varfi me verbin e tij poetik ka sjellë ngjyra të reja në poezinë shqipe, duke artikuluar modernitetin me anën e shprehjes metaforike e poetike”. Ndërsa poeti Lirim Deda, ka theksuar se “Natyra krijuese e poetit brilant të Labërisë, Avni Varfi, shkreptin zërin e tij poetik mes shqetësimeve të mëdha të kohës, duke iu bashkuar korit të këngëtarëve lirikë të kohëve të sotme moderne, duke u bërë një zë i veçantë dhe i dashur në poezinë shqipe…”. Vdiq papritur më 2 tetor 2022.