Ndërrimi i viteve-Llesh Gjoka


Kapërcim i kaluçit të një dite

Ndërrim kalendari, zgjedhje e re, një avatar

Dielli lind si çdo mëngjes

Spektakli i yjeve si një natë më parë.

Klima në vazhdim me kapriçiot e saj.

Por këtu duan të festojnë

Në ritin e përvitshëm kemi mbetur

E nevojshme të dalldisemi pranë bredhit

Me një gotë vere të shtrenjtë.

Plagët janë po aty ku ishin

Asnjë lëmoshë a filantropí nuk i shëron dot

Asnjë mjek çudibërës

a teraupet mbi tokë.

Sa njerëz të ndarë udhëve të mërgimit

Urime që mbërrijnë veç me internet.

Prindër të moshuar që s’e kapërcejnë pragun

Sa fëmijë në vende lufte

Dhuratë kjo s’mund të jetë.

Euforí festive që pushton gjithçka

Drita që të verbojnë vitrinash

Njerëz që papritur kujtohen

Është koha të bashkohemi urimesh.

Në dekorin e jashtëm kemi mbetur

Krisma dhe fishekzjarre në dehje

Ç’rrugë kemi shtruar për paqen dhe dashurinë?

Sot, për një të nesërme.