NDËRROHEMI


VIKTORIA XHAKO


Ti shkëmbi je,
Në breg oqeani të tallaztë,
Solid,
Majëmprehtë,
Si dhimbje e netëve të nxira.
Dallga jam unë,
Shkëmb përqafuara dallgë,
Buzëqeshje dhuruara dallgë,
Shpërndarë në mijëra xixa të bardha.
Po nuk e di se pse pastaj,
Thellësive iki,
Larg teje, o shkëmb, zvarrë, zvarrë.
Ndërsa ti, i patundur, i heshtur,
Pret të riun vezullim,
Të zjarrtë.
Më do?
Sërish të kthehem pranë teje? Të qëndroj?
Një zgjidhje ka:
Ndërrohemi të dy.
Unë, shkëmb solid,
E heshtur të qëndroj në pritje,
Në breg,
Në ditënetët,
Të mprehtat,
Shigjetueset e ankthit.
Dhe ti,
I kthyer në valë,
Qëndro aty,
Më përqafo!

… Mos u largo aq lehtë!…
E martë 3 korrik 2012 ora 13:00
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
“TESTAMENTI” botuar në maj 2013

About Post Author