Për çdo ditë, orë e pa orë,
Në kafe me shokë kur shkoj,
Vjen një djalë me çantë në dorë,
E hap çantën, nuk ka drojë.
Stilolapsa na tregon,
Lapsa tush, çakmak me gaz.
E vështroj e më vështron.
Syt’ e tij si dy oaz’.
Sa më dhimbset ky voglush,
Mua, burrit me kollare!
Ndaj blej lapsa e blej tush
Dhe paqetë pa pirë cigare.
Më tregoi, mëson anglisht,
Lexon libra deri vonë.
Me këtë rritje, denjësisht,
Ndoshta bëhet Xhek London.
Dhe atëher’ do të rrëfente:
Jo për Polin, as Alaskën,
Po, si grindej tufa e qenve,
Kush e kush t’i çirrte maskën.
Veç një fjalë dua t’ju them:
“Unë sërisht do t’blejë çakmakë.”
E ëndërroj një Xhek London.
Do ta kem gjithnjë merak.