NDOSHTA DO TË KTHEHESH


Petro L. Sota.

Më doje dikur, por ndoshta edhe tani,
Që s’i pashë më sytë e tu, diçka kish ngjarë
Ditën e kthjellta ikën, të tjera vijnë me shi,
Me netët e freskëta, të vjeshtës së parë…

Që të harroja ty, s’po mundesha më dot,
Ndërsa mallin që kisha, si kafe po e bloja,
Syrin tënd të zi, ku kish rënë një pikë lot,
S’po mundesha dot, ato çaste t’i harroja…

Se nuk fshihen lehtë, të bukurat kujtime,
Edhe pse ndonjëherë, ato na mundojnë,
Si retë ngjyrë gri, më hyjnë në mendime,
Si pika shiu mbi çati, kur bien na zgjojnë…

Na zgjojnë dhe nuk na lenë, më të qetë,
Se vijnë të trazuara, ndoshta pak më rrallë,
Si parqet, që mbushen, me gjethe e fletë,
Ashtu dhe shpirti im, më mbushet, me mall…

Por dhe shpirti, kur mbushet me mall plot,
Fryhet si lumenjtë, që nga shtrati dalin,
Zemra, më se mbanë, por mbytet në lot,
Dhe rënkon më thellë, se një grykë mali…

E vrapojnë mendimet, porsi kuajt asgan,
Duke dalur në hapsira, pa njohur kufi,
Por, kujtimet për ty, malli brënda i mban,
Ndoshta, do të kthehesh, një ditë përsëri.

Petro L. Sota. 23 shtator 2021

About Post Author