Në Çikago bie shi-Kastriot Fetahu


Kastriot Fetahu

Nuk e mbaj mend

nëse përgjatë asaj dite binte shi,

nuk e shikoja Chicagon përtej xhamave.

Pas atyre çasteve

nuk ishte njësoj si më parë.

Të imagjinova në shtrat

dhe ta mbulova lëkurën e bardhë

me ajrin e ftohtë të natës;

isha i dehur me ty.

E di, ta plagosa shpirtin me indiferencë,

ndërsa gjaku më përqafonte me flakërima të shkrira në trup.

Flisje pa u ndalur,

gëzoja heshturazi me zjarrin e ndezur;

flisje shumë, bëje dashuri me fjalë e më përkëdhelje me sy;

pasioni, lëng i saposhtrydhur i një portokalli të kuq.

Doja të bërtisja fort e të klithja

deri në mëngjesin e zhveshur nga vështrimi hënor;

nuk e mendoja dot “më tej” pa ty.

Lumturia e brendshme

mohohej para syve me ngjyrë sateni,

dhe gëzoja si një fëmijë që dridhet nga frika,

se e humbet gjënë më të shenjtë.

Shikoja drejt xhamave ku më shfaqej një det i fshehtë;

dhe atje të pikturova.

Ndaj nuk e mbaj mend

nëse binte shi atë ditë në Chicago.

K.F.

BOSTON