Në dreq-Valbona Kolaveri


Valbona Kolaveri

Në kryq të ditëve

Kryqëzohen shpirtrat

Humbur besimesh

Lutjet ,

Zgjaten stalaktidash

Mendimesh të ngrira

Shpirtrash amorfë

Amfibësh,

Që zvarriten

Duke pritur çdo ditë

Të mos çajnë më kokë,

Se kanë shpëtimtar

Një zot

Si të vetmin shpëtim ngushëllues,

Por më kot

Çdo ditë është më vete

Një kokëcarje njësoj,

Ku asgjëja

Vlen më shumë se gjithçka,

Por rreken të trullosur

Të gjejnë fillin e humbur

Gjylpërës së tretur në kashtë,

Që ua shpon zemrat

Që andej tek sa presin,

Bajatë

Dhe ndërkohë,

Qyteti plasaritet

Euforizmash,

Palaçosh,

Pijanecësh,

Politikanësh,

Partishë,

Pezmatimesh,

Dhe putanash

Që jargaviten për dy grosh

Ku lutjet harrohen

Pasthirrmash,

Dhe kokëboshësh triumfues,

Në dreq këta lapanjozë

Që po mbysin këtë botë,

Në dreq dhe lutjet në zot

E përse vlejnë përsiatjet

E syve drejt qiejve,

Kur asgjë

Asnjëherë

Nuk ndryshon

E pritja e mjerë amfibe

Zvarritet, e zvarritet

Sikur vdes,

Der të mbytet gjithnjë,

Me një lugë ujë

Shembjesh përtokë.