Në ëndërr kurrë s’të kam parë,

Nga ëndrrat unë kam frikë,
Po ti m’u shfaq për herë të parë,
Më bëj magji si shtrigë!
Më bëj magji me gjethe ftoi,
Magji të rëndë me gurë përsipër,
Asnjë njeri të mos më njohi,
Të kaloj rrugës me kapistër.
Të kaloj rrugës me samar,
Ngarkuar fatin e pa fat,
Kur të më shohin si qyqar,
Asnjë të mos më marrë inat.
Në ëndërr kurrë s’të kam parë,
Më bëj magji me kokër misër,
Të ndizem flakë si një i marrë,
Të më fshehi nata në kanistër.
Nëse kaq pak nuk i’a del dot,
Me llafe kot më kanë gënjyer,
Lumin ku lahesh tash sa mot,
Në copa blu kam për t’a shqyer!
Shkëmbin e madh ku ke shtëpinë,
Do t’a mbuloj me shkuma reje,
Dhe do të mbij si një lëndinë,
Harkut të kuq në bark rrufeje!