NË EPIR, NË TOKËN TIME!
Zemra copë e çikë, çarë pritje shpresë,
Rrjedh lumi i gjakut pyllit mespërmes!
U mundua ujku, mjeku i Ballkanit,
Me ilaç Epiri, me gjethe të manit!
U mundua ujku miku im i vjetër,
Sa mbyllte një plagë ti hapje një tjetër!
Zemrën e fashuar me zhapa lofate,
Do t’a varr tek rapi sonte pas mesnate.
Eja që t’a marrësh, hidhe në greminë,
Në degët e rënda njëqind korba nxijnë!
Eja që t’a marrësh,vëre në kornizë,
Nëse dot nuk ngjitesh do t’a rrokullis.
Deri në mëngjes zër mendimet varg,
Unë me bisht të syrit do të ndjek nga larg.
Edhe në mos ardhç se s’të lë inati,
Në se hanë as sorrat do të qelbet fshati!
***
Varur jargavani
si gjysëm jorgani…
Në murin gjithë vraga
Pse nuk mbyllet plaga.
Tavolinë e vjetër,
Arnuar me letër.
Dy gota rakie,
Mbushur plot me hije.
Më nuk është im atë,
Iku atë natë…
Shkoi ndënë lis,
U bë qiparis.
Ti tha mos derdh lot,
Se ngjallem që sot!
Loti gur më mbeti,
Se la amaneti!
Dhimbjen në Epir,
Do t’a bëj zinxhir!
***
Për nazet si thupra bliri,
E lidha gjumin në ferrë,
Në mos qofsh shurup Epiri,
Do të pi le të jesh vrrer!
Kali si duf vetëtime,
Mall për ty dridhet i tëri,
Nëpër lumenj hingëllime,
Desh u mbyt, si dilte zëri!
Mirë me mua mban inatin,
Ngritur si flamur mbi kodër,
Po me kalin ç’ke, të ngratin,
Si manar të bëhej lodër?!
Në s’ke hiç mendje të ndalësh,
Ç’inat mban, ç’furtunë vesh,
Shpirtin çika të ma falësh,
Trupin të ma bësh përshesh!
M’a prano të fundit lutje,
Kalit zemrën mos ja merr,
Në inate shtyje tutje
Në një ëndërr e kam blerë!
Merre hakun gjithë mbi mua,
Merre hakun e pa hak,
Çoje dhimbjen gjer në thua,
Sepse unë duroj dhe pak!
***
S’ulem më,jo!, tek ky rap,
S’pi më ujë tek ky burim!
Zogu qesh, ikën vrap,
Gjoja s’është shoku im!
Të ky shesh sa një tepsi,
Tek ky shesh sa një filxhan,
Jo më jo, nuk do të vi,
Nuk vjen asnjë kapedan!
Nuk zbret më asnjë profet,
Asnjë zanë me sy të shkruar,
Vetëm gurë, degë e fletë,
Shtrirë përshesh duke rrënkuar!
Edhe të vonuarat lule,
Shpirt në dhëmbë varur tek shkëmbi,
Nuk kanë fare ngjyrë të kuqe,
As floriri, as argjendi!
Prandaj qesh e përqesh zogu,
Atij si kanë thënë përralla?!
Ëndrra ime ra nga gjogu,
Të tijat ikën përpara…
Andaj qesh, përqesh i miri,
Shoku im i fëmijërisë,
Më mban me sqep nga zinxhiri,
Po s’u ktheva të pi sisë!
***
Njëherë kam trembur një thëllëzë,
Me buzë të kuqe flakërimë,
Më gjak të ngrirë u fut rrëzë,
U fsheh më la në gjoks një vrimë…
I merrakosur e kërkova,
Mos ishte vrarë,mos ish lënduar,
Të gjitha shkurret çrrotullova,
Me zemrën copë si plis në duar.
Si gjë nuk gjeta përrallit sertë,
U nisa rrugës si litar,
Po nuk më bindej zemra e shkretë,
Meraku shkrinte lot mbi bar
Mezi e binda që s’ish punë,
Kërkonim gjilpërën në kashtë,
Mes rozgash isha bërë dhunë,
Më digjnin gjëmbat, pesë a gjashtë.
Thëllëzën tremba veç njëherë,
Betohem nuk i bërë gjë,
Dhe si mallkim që atëherë,
Thëllëza s’kam parë më!…
***
Në dasmën e lisit,
Erdhën shtatë luanë krushq,
U mblodhën gjithë zogjtë e mrizit,
Dhe vëllezërit tanë ujq!
Erdhën çjeptë brirë zjarrtë,
Deshtë e sertë me orkestër,
Nuse pashkëzën e artë,
Do e presim të vijë nesër!
Në dasmën e lisit,
Do tundet si fletë Epiri,
Kafshët e egra të plisit,
I kanë zgjidhur nga zinxhiri!
Majë e malit sot lëviz,
Nga valle vjetër pirrike,
Kërcejnë arinjtë si fis,
I qullin zemrat armike!
Në dasmën tonë të lisit,
Lumë u derdh gëzimi, kënga,
Në vallen e rëndë të vrrizit
Zoti na mbante nga mënga!
***
Kur mbete vetëm në fshat,
Si lisi degë mbërdhe…
“Ik, më the, nuk kam takat,
Do rri në timen fole!
Drekën time të përmortit,
Do m’a shtrojnë kafshët e pyllit,
Kur të shkoj si zot pranë Zotit,
Si drita në gji të yllit!
Ujqit do më mbajnë në krahë,
Kur të kaloj kësaj rruge,
Ç’pata ëndrra e mëdha,
Të m’i varrin majë furke!”
Ika unë,me njëmijë plagë,
Të lash pas si psherëtimë…
Tek lisi që mbollëm bashkë,
Sot je vetëm një kujtim!
***
Mos kujto se je i gjallë,
Kur rrëndon mbi dhe si thes,
Hiqesh zvarrë si një gërdallë,
O i vdekur që nuk vdes!…
Mos kujto se je në jetë,
Kur veç ajër merr me duk,
Asnjë gjë s’është dhënë përjetë,
As kur ha turpin me bukë!
Shitu,blihu, për karrike,
Dhe kujto se na sundon,
Atdheu nuk është relike,
Që t’i veç e shpërdoron!
Mos kujto se je i gjallë,
Tradhëtar me turp në ballë,
Pisllëku ku fute kokën,
Ka për të të bërë gropën!
***
Për dy sy, vetëm për dy,
Jetën jepja dyqind herë,
Kur me dritë si hyjni,
Më kërkonin nëpër tmerr!
Më mbulonin ngrohtësi,
Sa freskohej pakëz moti,
Ishin fllad e lehtësi,
Dhe në zheg si ky i sotmi!
Ti e dije se për t’a ,
Unë i vija zjarrin botës!
Po prapë ike tjetër krah,
Dhe më le pa mend e kokës!
Humbe si guri në ferrë,
Si ajo natë s’ka të dytë,
Malli më merr ndonjëherë,
Jo për ty, vetëm për sytë!
***
Ç’i bëra atij qerpiku?!
Zemrën m’u në mes ma piku.
Se mos vetëm zemërzezën,
Si shkrepse me ndezi
shpresën.
Beli që lëshonte yje,
Më la pa pikë fuqie…
Këmba që shkelte mbi rërë,
Shponte zjarrin me gjilpërë.
Buza kullonte argjend,
Pse më la pa frymë në vend?!
Më ka thënë nënë gjora…
Kështu i ka vajzat Vlora!
***
Ka ardhur ora në Agorë,
Të mblidhet prapë mileti,
Shtrëngoni zemrat fort në dorë,
Dhe thirrjet “Poshtë mbreti”!
Pushteti juaj s’egziston,
Ua ka marrë e Keqja,
Shpëtimin që aq shumë kërkon,
E gjen vetëm tek vehtja!
Ka ardhur ora në Agorë,
Të mblidhesh si qëmoti,
Të kthesh pushtetin tënd në dorë,
Besimin prapë tek zoti!
Braktisi fe, politikanë,
Që shekuj të kan rrjepur,
Kthehu tek zoti yt pagan,
Të parët e paepur!
Kërko zotin e shqiptarisë,
Me zjarr të ri e shpresë,
Dil në Agorë e mos lëviz,
Shqiptari kurrë nuk vdes!
