Në gushtin e vitit 1992 u nisa për Greqi…Hysen Kica


…O ju korba që më hani

Sytë e zez të mos m’i ngani

Sytë e zez mos mi qorroni

Se jam djal’ e më shëmtoni.

Në gushtin e vitit 1992 u nisa për Greqi bashkë me pesë shokë të fshatit tim. Bleva bukë e djathë, mora edhe ca rroba dhe rregullova një çantë shpine me rrypa. Kishim shumë rrugë për të bërë në këmbë se do ta kalonim kufirin fshehtas. Në buzëmbrëmje arritëm afër pikës kufitare të Kapshticës, morëm në të djathtë dhe ecëm nepër ca rrugë malore plot me kthesa deri sa dolëm lart në kodrat kufitare. Nuk e dinim tamam nëse e kishim kaluar kufirin apo gjendeshim akoma në tokën tonë. Ecnim vetëm duke u orientuar me yllin polar se nata ishte e kthjellët.

– Po na nxjerr në Maqedoni, – më thoshte shpesh njëri nga shokët e mi të rrugës.

– Mos u mërzit, – i thoja unë. – Unë orientohem shumë mirë me yjet. Sipas studimit të hartës së Greqisë ne do dalim afër Kosturit.

Por… U gjendëm para një gremine të rrezikshme. Devijuam pak nga jugu dhe u futëm në një pyllë.

Papritur dëgjuam ca ulërima të tmerrëshme njerëzish dhe shtangëm.

– Kam dëgjuar se këtej vepron një bandë hajdutësh që vrasin dhe vjedhin refugjatët shqiptar, – foli njëri nga shokët tanë.

– Kthehemi, – tha një tjetër dhe u munduam të orientoheshim në errësirën e natës.

Pasi u kthyem zbritëm afër rrugës së makinave dhe u ulëm ta mendonim. Pamë se dikush po vinte drejt nesh. Ishte një djalë i ri. Si rastësisht ai u afrua pranë nesh dhe na përshëndëti.

– Mirmbrëma! Shqiptarë jeni?

Me thënë të drejtën unë u shqetësova edhe më tepër ndërsa shokët e mi dukej se u qetësuan dhe i treguan atij djali për rrugën tonë dhe për ulërimat që dëgjuam.

– Sa mirë që u takuam, – foli ai djali. – E dij unë rrugën dhe dalim bashkë.

Sikur isha mësuar me mashtrime por nuk fola. Ndoshta dyshoja kot. Ai djali u nis para dhe ne pas tij. Nga shkurret rreth nesh sikur mbinë edhe disa të tjerë deri sa arritëm në një lëndinë të vogël ku takuam nje grup njerëzish midis të cilëve e njoha njërin dhe i fola me emeër. Ai e mohoi njohjen tonë, tha se nuk ishte ai dhe u nisëm. Banda qe na rrethoi duhet të ishte mbi pesëmbëdhjetë vetë. Njëri nga banditët mu afrua , më vuri dorën në sup dhe më përmendi emrin. U binda plotësisht se ishim kapur robër të një bande. Duhej gjetur një mënyrë pak e zgjuar për të shpëtuar ndryshe do na masakronin. E kapa njërin nga shokët për xhakete dhe ai u kthye nga unë.

– Unë do kthehem, – i thashë me zë të ulët.

Fatmirësisht të gjithë banditët ishin para nesh.U kthyem mbrapsht dhe…. Mobilizova gjithë forcat e mia fizike dhe renda me vrap.

Një zhurmë, si e armës kur mbushet, u bë pas meje.

– Ndaluni se jeni të vdekur! – na thirrën ndjekësit tanë.

Ndjeja se e kisha shumë afër dike pas meje dhe sikur shtrinte dorën të më kapte.

Tmerr i pashpjegushëm. Kisha qenë në birucë e në burg dhe vërtetë kisha patur frikë por… Jo. Kurrë nuk e kisha ndjerë vdekjen kaq pranë. Mu duk se dora e ndjeksit kapi çantën time të shpinës dhe instiktivisht e hoqa çantën. Sikur ndjeva se ndjekësi im u rrëzua mbi çantë.

Renda…Renda si Marathonomaku. Sa e shtrenjtë ishte jeta. Ne e kuptojmë këtë gjë vetën kur e ndjejmë se po na e marrin. Nuk e dij ku e kisha patur gjithate forcë. Nuk e dij as sa kam rendur por dij se diku pashë dritë dhe vrapova drejt saj.

Kisha arritur në pikën kufitare të Kapshticës por… Njëri nga shokët tanë mungonte. I falenderoj shumë ata ushtarë trima. Sapo u treguam se kemi patur me vehte edhe një shok tjetër ata morën armët dhe rendën me vrap në drejtimin që u tregiva unë. Të futesh në mes të natës, në një pyllë ku ishte e sigurtë se ishin fshehur kriminelë të armatosur, ishte vërtetë një akt heroik. Ata e gjetën dhe e shpëtuan edhe shokun tonë.