Ne ilirjanët, kastriotistë…Vullnet Mato


Vullnet Mato

Fryjnë erëra të forta, që të çngjyroset natyra,

me stinë të përziera, në Adriatik dhe Ballkan.

Por ato s’kanë aq fuqi, të ndryshojnë fytyrat,

trashëguar nga geni i lashtë, indoevropian.

Ne jemi bij të nënës arbërore, ngaj fiset ilire,

nga nënat serbe, greke, turke nuk kemi lerë.

Kemi veç fqinj të ngulur pas nesh, në këto brigje

dhe përqark gadishullit, s’kemi vëllezër të tjerë.

Ne jemi ende gjallë dhe një komb në mëvetësi,

se na ka mbajtur në këmbë, shpata e Kastriotit

dhe na ka prirë kurdoherë, bajraku ynë kuq e zi,

në çdo majëmali të truallit, dhuruar prej zotit…

Kush harron të vërtetat tona, shumëshekullore,

e s’di pse vringëlloi shpatën e madhe Skënderbeu,

pse Ismail Qemali shpalosi flamurin në ballkon Vlore,

e nuk di pse Noli predikoi lirinë anembanë dheut;

Ose kërkon qëllimisht të na bëjë popull laraman,

të quhemi turma të hedhura, nga erëra rastësore,

ose të humbasim identitetit e lashtë, në këto anë,

ku pikon gjak çdo pëllëmbë e tokës sonë arbërore.

Pra, duhet te dijë kushdo, që kërkon gjakra të ndezi,

duke na ndërruar prejardhjen në emër të miqësisë,

se kemi qenë, jemi dhe do mbetemi brez pas brezi,

vetëm një komb, një ngjyrë e ilirjanëve, kastriotistë!…