Në kërkim të unazës së këngës-Nga Kristo Çipa


Nga Kristo Çipa

NË KËRKIM TË UNAZËS SË KËNGËS

Florika Thanasi dhe KONOVAKA

Ishte festivali zonal i këngës dhe valles bregase në Himarë në vitin 1982 dhe grupi i fshatit Qeparo u prezantua me një këngë të veçantë dhe marrëse befasuese. Kënga ishte” Merrmë o vashë merrmë/Mbi bucjelë shpjermë” dhe marrëse vashëza Florika Thanasi në atë kohë 20 vjeçare. Nga ai i vit e deri në 25 Qershor 2023 ajo ka rendur shteg më shteg e shtet më shtet, duke kërkuar Unazën e këngës dhe atë e vuri në gishtin e bukur të festivalit folklorik të Gjirokastrës, në skenën magjike me këngën “KONOVAKA”

Kjo rendje fluturake drejt gjurmëve të këngës nuk ishte pa shesh pushimi. E para ishte në pallatin e kulturës Himarë 1982 e dyta në kalanë e Ali pashë Tepelenës më 1998 me këngën e VASILIQISË( shoqëruar me dy tre të tjera) dhe në endjen prelud të saj në kalanë e festivalit Gjirokastër 2023 me “Konovaka”-n e saj, e cila ngjante sikur të ishte bërë enkas për të. Si mjaltë në rrathë honesh ishte rezervuar zëri i saj dhe duhej patjetër të përputhej shpirti i saj me atë të këngëtarëve pilurjotë dhe jehona të mirte Malin e Gjerë e të shkonte te lulet parajsore të Çajupit. Në krah të saj këngëtarja e re pilurjote Polikseni Mërkuri ishte gati si Argjirua e kalasë, të “rrëzohej vetë” e Konovaka të mos binte. Dhe gryka jehonë e Taqo Balës e zëri vibrues i Valentina Gërdhuqi së bashku me katër iso-t jehonë e bën këtë këngë të ishte unaza e kurorës për Florika Thanasin (Kockën).

Vibracioni i zërit të saj të ngjan me hallkat e një zinxhiri të florinjtë, me zinxhirin e bardhë të ballit të rakisë kur zbret nga avujt dehës, me rombet e prera simetrikisht në tepsinë e bakllavasë. Florika dhe zëri i saj ngjajnë me jugën e ëmbël por shpërthyese që përkëdhel majat dhe zgjon luginat. Florika ka veruar shpesh nëpër tënda grupesh nomade por vilën qetësuese dhe përndritëse duket se e ka gjetur tek grupi i Pilurit dhe kënga e tij.

Ashtu si lulet e vjeshtës kthejnë me ngjyrat dhe aromat e tyre një copëz pranverë edhe këngët e saj po lulëzojnë vjeshtën e jetës për të mos e lënë këtë xhevair bregu të thahet nga vapa e emigracionit.

Këngë e motive të panumrta ka brenda shpirtit e zërit të saj dhe bregu nuk ka dimër kënge.