Në Kulmak,ku u lidh besa-Nga Enver Cakaj


            Reportazh

Nga Enver Cakaj

Shqiptarët i kanë hedhur sytë nga Tomorri, por dhe Tomorri i ka hedhur sytë nga Shqipëria e më tej.Të dy palët pyesin:Kur do të nisemi e si do të nisemi? Sa do ta kalojnë detin në këtë vapë të pashpresë? Tomorri i pret me freski.Atje edhe dimri është më afër nga çdo vend.Sa do të vijnë e kur do të vijnë? Kjo pyetje nuk merr dot përgjigje,se ka një muaj që drejt Tomorrit vërshojnë njerëz.Ca me çadra,ca me guna,ca…Tomorri është pushtuar para kohe.Ujanikasit, që e kanë braktisur fshatin totalisht, janë kthyer të parët për të festuar.Krahina e Tomorricës është edhe fetare,edhe patriote.Në teqenë e Kulmakut kanë gjetur strehë të gjithë djemtë e luftës,që vepronin në ato anë.Këtu,në këtë teqe është lidhur besa e parë. Në datën 02.07.1919,zëvendësi i Prefektit të Beratit,Avni Badulla,i dërgon këtë lajm Degës së Punëve të Brendshme Durrës: “Nënprefektura e Skraparit na lajmëron se paria e Skraparit dhe pleqtë e katundeve,duke marrë parasysh vrasjet dhe ligësitë e parashikuara që ndodhin në vendin e tyre,më 20 të këtij muaji u mblodhën në teqe të Kulmakut dhe lidhën besën duke u betuar për ta ndërmarrë qeverinë kombëtare si për punën e qeverisë ashtu dhe për çdo gjë tjetër,që do të këtë dhe kështu mbledhja u përhap prapë.” Kur shikojmë tërë këtë vërshim,morëm edhe ne rrugën drejt Tomorrit.Një shofer i rastësisë,që më ndaloi te këmbët,më tha,se do të shkojmë nga ajo rrugë nga ka shkuar dervish Iljaz Qafoku.Nuk ja prisha,por e quajta dhe komandant për të na udhëhequr.Ato çaste kisha parasysh urdhërin e oficerit madhor rus,Suvarov,që thoshte: “Kur nisen në shërbim dy ushtarë,njëri është komandant.Që kur u nisëm unë e thirra komandant dhe kjo na bëri të mos e pyesim njëri-tjerin për emrat.Ndërkaq ishim ngjitur në Pirogosh. Shoferi e ndaloi makinën dhe zbriti.

-E di ti që këtu ka qenë një pus?Po si e kush e ka ndërtuar,e di? Ta spjegoj unë.Dervish Iljazi,që unë e quaj të vetmin klerik që punonte për popullin.Udhëtonte një ditë me ca tomorricarë.S’kishte rrugë atëherë,po vetëm rrugica.Në ditët e nxehta të piqej goja për ujë, u ulën e pushuan te këta lisat.Njëri nga udhëtarët kërkoi ujë,po ujë s’kishte.Atëherë dervish Iljazi u nda nga udhëtarët dhe iku në Radësh,ku mblodhi të gjithë burrat dhe u kërkoi ndihmë për të bërë një pus këtu.Dhe pusi u bë,po tani e paskan shkretuar.

Disi i mërzitur shoferi u nis.Deri sa dolëm në Devri nuk foli.Atje ndaloi sërish.Buzë rrugës ishte një gropë,ku shoferi më ftoi ta shikonim.Edhe aty ishin shenjat e një pusi,që dervish Iljazi kishte ndërtuar për popullin dhe populli e prishi! Shoferit i iku humori dhe nuk pranonte as t’i thërrisja komandant.Aty,mbi fshatin Mëlovë ai po shikonte mbi xhade.

-E shikon atë rrugicën e pavrarë atje lart? Është punë e bukur e dervish Iljazit.Kur ikte një herë me ca udhëtarë,iu ankuan,se rruga poshtë u pristë gjatë.I la udhëtarët të iknin dhe vetë zbriti në Mëlovë,mblodhi burrat e fshatit dhe ua shkurtoi atë rrugë.Po ai ishte njeri i besuar ndaj e dëgjonin të gjithë.E shikon atë virokun atje mbanë Zaloshnjes?E ka emrin “Gaxholja e dervish Iljazit.” Ata i thonë gaxhole,po ai hapi disa të tilla,të cilave u dha fuqi fetare,ku hidhnin lekë njerëzit.Ai i mblidhte lekët dhe i bënte rrugë e e ura për popullin.Kanë ngritur edhe tani në ato vende që kanë qenë,po të gjitha janë me kyç! Se kush i merr e ku i shpjenë,nuk dihet,po te populli nuk venë.S’kemi parë një rrugë,një urë a një çezëm të ndërtuar prej tyre.Dervish Iljazi nuk kishte kyç dhe lekët e popullit nuk i merrte njeri,se e dinin ku vinin.

Kur po ngjiteshim në maloren e Ujanikut,komandanti e fiku makinën dhe u drejtua nga mua.

-More,nuk të pyeta,po ti a ke parë a dëgjuar për dervish Iljazin,se nuk më ke thënë asnjë fjalë? Apo jeni kundër fesë?

Nuk doja t’ja prishja humorin,po ja solla muhabetin aq vërdallë sa ai e mori vesh,që unë isha kundër të gjithë atyre që i bëjnë dëme shoqërisë dhe vendit.Më në fund nxora nga çanta këto dekumente arkivore:Gazeta “Liria”e Selanikut, e shtunë 19 shënëndre,ka shkruar: “Po bëjnë po thuaj dy muaj që kur u rrëzua ura dhe gjer më sot s’është bërë gjësendi.Njerëzit si të burgosur gjenden këtu si për të ardhur ose për të vajtur përtejë,lipset të shkojnë nga ura e Badelonjit,e cila mban dy orë e gjysëm,dhe një udhë mos më keq.Pa rrena kur u rrëzua gjithë tregtarët mbyllën punëtoritë e tyre dhe gjithë populli i bashkuar vanë në hyqymet për të qarë hallin,së andejmi bashkë me kajmekamin zunë tejshkrimoren dhe dërguan përsëri tejëshkrim në gjithë anët.Valiu u përgjigj se bën 2.000 grosh për të blerë një lundër e ura shumë më tepër,10.000 grosh.Populli u dëshpërua.Por me gaz të madh populli pritnë Varf Iljaz Skraparin me disa katundarë me kazma në sup dhe iu lutnë të bëhet ura sa më shpejt se po vdes njerëzia për bukë se s’mund të bëhet lundër në këtë lumë. Varfa iu përvesh punës me katundarët e tij dhje gjithë populli dhe tregtarët e ndihmuan,që ka meritë se punon me mish e me shpirt për ty,o qytet i bukur e kërthizës së Shqipërisë.”

Ky njeri nuk ka lënë vend pa vajtur për të dëgjuar e zgjidhur hallet e popullit kudo që ishin.Punoi në Turqi,në Prishtë,pastaj iu fut ndërtimit të teqesë së Kulmakut.Por dekumentet e kohës thonë,se në inaugurimin e teqesë në 28 korrik 1916,nuk mori pjesë asnjë klerik bektashi!Sipas të dhënaqve truallin e teqesë e ka blerë nga Shefit dhe Avdyl Salillari nga Kapinova e Beratit.Për këtë xhëst i kanë thurur edhe këto vargje: “Shefit Kapinova të shiti vatanë,/O dervish Iljazi t’u bëfsha kurban.” Dervish Iljazi nuk ndënji një ditë pa menduar për këtë popull të varfër. Para se të vdiste ai i dërgoi një lëtër amaneti Patriotit kolonjar Petro Nini Luarasi: “E kam gjetur me mynasip që në Tomorr të bëhet një shkollë e një spital.Shkolla të bëhet në Shesh të Shtyllës dhe spitali në Ujë të Ftohtë,sinor me Ujanikun.me që era e atjeshme është e paqme dhe e shëndetshme.Po megjithëatë,vendi ku të bëhen të mbetet si të gjendet me mynasip prej doktorëve dhe inxhinierëve.Këto institute të bëhen me ndihmën e qeverisë dhe popullit.Dhe me që unë asokohe do të ndërroj jetën,ju lutëm që njerëzit që do të sjellin të mbledhin ndihmat nëpër qytet e nëpër fshatrat të jenë njëri muhamedan dhe tjetri kristian dhe njerëz të nderit e të mirë.Sa për ndihmat nga shqiptarët e jashtëm,këto i lë në dorë të qeverisë. Shkruar në Tomorr,Dylbetari i Abaz Aliut.Varfa Iljaz.”(Marrë nga gazeta “Shqiptari i Amerikës” 26 maj 1923)

Shumë gazeta shkruan për punën dhe vdekjen e dervish Iljazit.Të gjitha me dhimbje.Gazeta e Sofies, “Liri e Shqipërisë”,në rubrikën e saj “Andej,këtej” datë 5 vjeshtë e tretë 1911,thotë edhe këto: “Për të mirin Varfë që ka mbaruar afër Vlorës një urë 35-metra të gjatë e tre metro e gjysëm e gjerë.Mbase Perëndia që rri në Tomorr të Shqipërisë e dërgoi këtë njeri të mirë që të zbukurohen ato vende,që gjer sot kanë qenë shkretëtira.Perëndia dergoftë të tillë njerëz kudo në Shqipëri…Të lumtë,o Iljaz,puno,puno,të lësh një emër të paharruar në këtë jetë,se njeriu një herë i shkon kësaj jete..” Nga ana tjetër gazeta “Shqiptari Amerikës”,datë 17 mars 1923,shkruan: “Shqiptarët e Amerikës ndjejnë një hidhërim të madh,për humbjen e të ndjerit Varfë Iljaz Tomorri dhe luten zotit ta vendosë pranë të drejtëve.”

Kulmakun e gjetëm të populluar.Godina e teqesë është tjetërsuar dhe qëndron e mbushur me hallexhinj.Shikojmë gra me fëmijë të sëmurë në krah,që kujtojnë se do të gjejnë medet te babai,se te mjekësia nuk kanë besim.Dhe babai,i zënë ngushtë,bën ato rite që i takojnë.Në këtë vend ishte teqeja e parë,por furtuna e asaj kohe e rrafshoi të gjithën.Por besimin fetar nuk ua shkulën dot nga shpirti.Pas prishjes këtu u ngrit në fshehuri një gaxhole e vogël,që shkaktoi shumë zhurmë.Të vërtetën e ngritjes së saj nuk e di njeri,po për të lehtësuar djemtë pranoi se e kishte ngritur Laska,i ati i djemve Musabelliu.Në të vërtetë atë gaxhole e ngriti i biri,Qemali,i banonte në qytet dhe udhëtoi gjithë natën nga Çorovoda,e ngriti dhe iku sërish natën pa e parë njeri.

Rrëzë pishave dhe burimeve janë ngritur çadra,por janë ringritur dhe disa shtëpi të ujanikasve që janë mbushur me njerëz sezonalë.Komandanti im i ka marrë masat,me çadra,me ushqime e batanije.Pasi u darkosëm dhe kthyem nga një gotë,komandanti ja nisi një kënge që i kushtohej Mestan Ujanikut.Edhe pse është kënduar për herë të parë në qershor të vitit 1943,nuk u bë publike për shkaqe politike.Komandanti më spjegoi,se këtë këngë e ka shkruar baba Ali Tomorri dhë është kënduar në çdo përvjetor të atyre viteve.Tekstin e saj e kishte ruajtur ushtaraku Dilaver Radëshi.Vërshimi i njerëzve vazhdon,po ne nuk mundëm të qëndronim më për shkaqe shëndetësore.Ikëm ne ,po lamë atje atë dervish,që puna e tij e shpuri deri te NDERI I KOMBIT, qindra të tjerë ngjiteshin.Pritjen ua bën ai që u ka bërë ndere një jetë të tërë.Tomorri i pret e përcjell me respect,se me respect e nder e mban në gjirin e tij atë burrë,që i dha emër edhe Tomorrit.Sikur të ishin të gjithë njerëzit kaq mikpritës si Tomorri,Shqipëria do të ishte ndryshe.Mirëupafshim,Tomorr!