Në një bllok të vjetër kujtimesh-Llesh Gjoka


Në një bllok të vjetër, të zvetnuar nga koha

fshiva me gisht pluhurin mbi fletë

si mbi një ekran ngjyrë gri.

Vargjet mbi fletë filluan një pëshpëritje të ëmbël

Ishin skenoprovat më të bukura

që kisha sajdisur për ty…

Sa e sa fletë u zgjuan nga gjumi letargjik

me emrin tënd të kapitalizuar

dhe me kujtimet e një perle që lotonte e fshehur aty…

E thyeva guackën e kujtimeve

në trallisje të ëmbël, në herezi

për të të rigjetur ty…

Ti e di se nuk kam shenjën e rinjohjes në llërë

Nuk nxjerr tym nga baladat

jam i vdekshëm, i yti, njeri…

Ti e di sa jam urtësuar në jetë

dhe vagonat e viteve i shtyva shumë larg

Tash veç kujtimi fle mbi varg…

Mbeta i hepuar mbi fletët

si retë mbi kokë në një ditë me shi

Isha lagur i tëri; s’e di nëse ti…

Në një bllok të vjetër kujtimesh

U ndalova…Nuk e di se si!

Vargjet i shkriva për ty!

Mund të jetë një imazh i 2 persona, grim, ditar, kalendar, afishe, kujtesë e fragmenteve, blloku i miut, libër, kornizë fotografie dhe teksti