Në pritje-Fatmir R Gjata


Fatmir R Gjata

Në pritje duart lulëzojnë,

e frymë bëhet tufan

Degëz e rreshkur bëhem vetë,

ti syth përherë më ngjan

Ndaj pres shpërthimin e papritur,

të shoh gonxhe të dlirë

Gjersa të ulen përmbi ne,

ca flutura plot dëshirë.

Në pritje flas përçart, e di,

por çfarë të them më parë

Ç’nevojë do kishe që ta shpreh,

sa shpirtin ma ke marrë

Edhe sa herë të shoh në sy,

zënë bien me të vërtetë,

Me qindra, mijëra violina,

andej nga vënd i fshehtë.

Në pritje ujë bulon nga kroje,

nga s’kisha pirë një pikë

Sa shkoj e ngopem menjëherë,

e marr në dorë një çikë

E lë të rrjedh mes gishtash gjithë,

siç loz fëmijë me rërë

Paçka se dua gjithë çfarë rrjedh,

me një frymë ta pi të tërë.

Në pritje shoh hënën e grirë,

mungon gjithmonë një pjesë

Ndoshta fytyra jot’e ëmbël,

buzëqesh atje në mes

Ndaj vetëm flas e shkruaj vargje,

që s’do lexojë kurrkush

Për puthje nën dritën e hënës,

në buzë edhe në gushë.