Në pritje të vdekjes-Hysen Kica


II

Arrita më në fund të nxjerr nga kasa e derës, jo një por, disa copa letre dhe u mundova ti sistemoja sipas rradhës së shkruar. Më tepër u lodha duke i parë fshehtas nga syri vigjilent i policit që shfaqej shpesh pas dritares së vogël të derës. Fatmirësisht e mbanin të mbyllur me kapak dhe kapaku bënte zhurmë kur e hapnin kështuqë kisha kohë ti fshihja. Por le të shohim copat e letrave.

“ Unë që po shkruaj jam A. O. një 19 vjeçar i akuzuar për tradhëti ndaj atëdheut, për lidhje e bashkëpunim me zbulimin Jugosllav dhe për vepra terroriste. Paskam qenë armik i rrezikshën dhe unë nuk e paskam ditur. Tani partia mi hapi sytë dhe e mësova. Unë armik kaq i rrezikshëm! Çfarë poshtërsie! Unë kam qenë një antar i dalluar i organizatës së rinisë dhe kam bërtitur gjithmonë “ Rroftë partia “.Tani më kanë ngarkuar me gjithë këto akuza, më bënë gjyqin dje edhe gjykata më dënoi me vdekje. Ndoshta kanë bërë shaka.

Një polic më dha sot në mëngjez një laps e një fletore për të bërë ankesë në gjykatën e lartë kundër këtij vendimi. Fletores i hoqa ca flete dhe lapsin e thyva duke mbajtur një copë për vehte. Kam siguruar edhe një copë xham nga skuta ku bëja ajrosjen dhe e mpreha copën e lapsit. Shyqyr rastisi një polic tjetër që mi kërkoi fletoren e lapsin dhe nuk e vuri re se kisha mbajtur diçka prej tyre.

Por ja çfarë kam bërë unë në të vërtetë.

Ne banojmë në një fshat kufitar dhe kemi një kullotë shumë afër kufirit. Më rastisi një ditë që pashë një vajzë matanë kufirit. Padashje ndala dhe po e shikova. Edhe ajo më pa dhe krejt kot e përshëndeta me dorë. Më përshëndeti edhe ajo mua. Fatalitet! Këtu filloi tragjedia e jetës sime. Mu bë fiksim ajo vajzë dhe më ngacmonte papushim dëshira për ta parë përsëri. Po. E pashë përsëri. E përshëndeta përsëri. Po ashtu edhe ajo më përshëndëti përsëri. Filluam ti shpeshonim përshëndetjet tona aq shumë sa një ditë vendosa të kaloja kufirin fshehtas dhe ta takoja. Qeshu rini, qeshu se bota asht e jote por… Jo. Bota nuk paska qenë e jona.

U çmenda. Takova një vajzë, vërtetë shqiptare, por që jetonte në botën armiqësore. Nuk e dij nëse e takova nga kurioziteti rinor për të njohur një botë tjetër apo nga ndjenjat e simpatisë që kishin lindur në ndjenjat e mia. Ajo nuk ngjasonte aspak me një armik, si thonim e mendonim ne në Shqipëri, por ishte shumë e mirë dhe e sjellshme. Po. Ishte edhe e bukur. Dafina e kishte emrin. U miqësuam shumë dhe kishim një miqësi aq të bukur sa do na kishin zili edhe bilbilat. Harruam se duhej të ishim armiq. Jo Shekspir. Ne nuk ishim Montag e Kapulet. Ne ishim shqiptarë. Kurrë nuk mund të mendoja se miqësia me Dafinën do më sillte sot në prag të vdekjes.

Jo, jo! Nuk e besoj. Unë nuk do të vdes. Unë kam patur besim të plotë te partia dhe e kam dashur shumë partinë. Gjithmonë më kan thënë se partia është nëna jonë e madhe dhe çdo nënë i don shumë fëmijët e saj. U mundova të shpjegoja të vërtetën në letrën që shkrova dje, kërkova falje dhe shpresoj se patjetër gjykata e lartë do ta kuptoje se unë nuk kam asnjë lidhje me armiqtë. Unë vetëm kam kaluar kufirin për të takuar Dafinën por pa asnjë qëllim të keq kundër partisë dhe popullit kështuqë nuk duhet të dënohem me vdekje.

Nuk e dij. Ndoshta gjithë kjo është vetëm një ëndërr e keqe. Sa budalla u tregova. Shkova dhe i tregova një kushëririt tim se unë kam dalë matanë kufirit disa herë. Pa kaluar as dy ditë rendën forcat e policisë dhe të kufirit. E rrethuan shtëpinë tonë sikur të isha një armik i rrezikshëm dhe do të bënim luftë.

– Dilni të gjithë në oborr, – britën me të madhe ata që na kishin rrethuar dhe ne dolëm duke ngritur duart lart.

Sa keq. Kushëriri më kishte spiunuar. Ata më lidhën me pranga në mes të oborrit, më goditën më shkopinjë gome e me shqelma pavarësisht se nuk kisha asgjë në dorë dhe nuk bëra asnjë kundërshtim. Tmerruan jo vetëm njerëzit e familjes sime por edhe gjithë fshatin. Pastaj më futën në makinën e policies dhe më mbyllën në birucat e rrethit. Po më mbajnë të mbyllur duke më torturuar që 6 muaj dhe tani më kanë dënuar me vdekje.

Çudi! Po të ma thonin këte fjalë kur isha i lirë më dukej e tmerrëshme të dënohet me vdekje një djalë vetëm 19 vjeç dhe që nuk e din tamam ç`do të thotë fjala “ armik “. Tani jam bërë gjysëm njeri, nuk e dijë nëse jan në ëndërr apo në realitet, ndjehem i shkatërruar dhe më duket jeta ime krejt e pavlerë. Ndoshta edhe si një shaka e keqe. Ikën dy ditë. Më kan mbetur edhe 13 ditë jetë. Më duhet të pres edhe tre ditë deri sa të vijë përgjigjia nga Tirana por… A do ma falin jetën! Unë kam besim te partia. Partia jonë e dashur do ma fale jetën.

Joo… Nuk dua të vdes.

Kush po e dëgjon ate këngë të tmerrëshme

O ju korba që më hani

Syt e zez të mos mi ngani

Se kam një të zezën nënë

Del e qan lëmë më lëmë.