Kisha kaluar më shumë se një muaj në shoqërinë e këtij ish-burgaxhiu dhe pothuajse ishim miqësuar. Nuk e ushqeja kurrë bisedën e tij në përpjekje për të zbuluar rrënjët e letrës sime dhe ndoshta ishte bindur se unë nuk do ja përmendja. Këte gjë e kishte kuptuar edhe hetuesi dhe patjetër kishte porositur shtimin e dhunës ndaj meje.
Më nxorrën, si çdo mbrëmje, për të marrë supën e darkës. Mora racionin dhe u drejtova për në birucë. Kisha uri dhe mezi prisja të futesha brenda e të haja darkën por… Pa mbërritur akoma te dera e birucës një polic më goditi fort me shkelm nga pas dhe u shtriva për tokë. Tasi kishte fluturuar dy ose tre metër para meje dhe supa ishte derdhur. Ngrita kokë. Një polic kafshë po vazhdonte të më qëllonte me shqelma.
– Armik i poshtër. Lëpije supën me llapë se të shijon më mirë.
Duke vështruar kokrrat e orizit të supës së shpërndarë në çimento dallova, nën dritën e forë të korridorit se, bashkë me orizin, supa kishte edhe miza. Në birucë ishte drita e dobët dhe unë i kisha ngrënë çdo natë këto miza. E kisha harruar urinë. Shoku im i birucës pothuajse e kishte kuptuar çfarë më ndodhi mua dhe më ftoi ta ndanim bashkë supën e tij.
Të rroje partia!
Ndjehesha shumë i shqetësuar dhe rrija si mbi gjemba.
Dikur u bë zhurmë në korridor, u hap dera e birucës dhe hyri brenda hetuesi im i shoqëruar nga një polic.
– Armik i poshtër, – briti hetuesi dhe më dha një shuplakë të ashpër. – Jeni tallur. Kujt ja keni shkruar ate leter? Ne kemi mobilizuar gjithë partinë në Durrës dhe zbulimin e shtetit me mashtrimet tuaja. Nuk ka në Durrës asnjë element armik me ate emër. Mendohuni mirë dhe jepini zgjidhje këtij mashtrimi. Nëse nuk tregoni të vërtetën partia do ju dënoje me vdekje. Familjen dhe fëmijët tuaj do ti mbuloje zifti.
Unë nuk e hapa gojën. Kisha mbështetur njërën dorë në murin e birucës për të mos u rrëzuar. Rrija edhe pak në gatishmëri për tu shmangur apo mbrojtur nga një goditje tjetër që mund të më jepte zoti hetues.
Këta ishin trimat e partisë që rrihnin viktimat e pambrojtura, u derdhnin tasin e supës me të cilin mbanin shpirtin dhe i kërcënonin se do tu shtypnin kokën. Sa trima të çartun!
U ulëm pasi u mbyllë dera e birucës dhe po rrinim në heshtje.
– Më vjen shumë keq për ty, – foli paspak shoku im i birucës. – Nëse ke ndonjë problem ti më thuaj edhe mua para se të thirrë hetuesi. Kurrë mos i trego të vërtetën hetuesit. Ta mendojmë dhe ta bisedojmë bashkë si mund ta gjejmë një zgjidhje më të lehtë.
– Edhe mua më vjen keq, – fola unë. – Kam mjaftë hallet e mia dhe do bësh mirë të më lëshë të qetë.
Të nesërmen na ndanë. E kishin kuptuar se as loja e darkës nuk kishte dhënë rezultatet që prisnin.
Nuk kaluan shumë ditë dhe më thanë se më kishin ardhur familja në takim.
U gëzova shumë dhe kujtova se vërtetë do mund të shihja dike nga njerëzit e mi të dashur. Kur më nxorrën në koridor sikur nuk mu duk e drejtë futja në dhomën e hetuesisë por u ula në karrigë dhe prita. Paspak u fut në dhomë një i panjohur. Ai u ul në karrigën e hetuesit dhe u prezantua.
– Unë jam një hetues i hetuesisë special e të Tiranës, – filloi ai. – Kam hetuar veprimtarinë armiqsore të grupit të Mehmet Shehut dhe gjithë bashkpuntorëve të tij. Kuptojeni drejt se askush nuk ka mundur të më mashtroje.
Ai pushoi pak duke më vështruar ndërsa unë hiqesha si indifferent pa e hapur gojën.
– Keni gjë për të thënë?
– Ja kam thënë të gjitha hetuesit tim.
– Pritni! Po t`ja kishit thënë të gjitha hetuesit unë nuk vija këtu. Çeshtja juaj është bërë problem deri në hetuesinë e përgjithëshme. Hetuesi, që i kemi caktuar çeshtjes tuaj, është hetues shumë i mirë por ju keni përfituar nga mirësia e tij. E keni mashtruar. Më kuptoni?
– Më vjen shumë keq. Unë kaq dij.
– Ju keni dhënë një adresë qëllimisht të gabuar. Një armik me ate emer gjendej vetëm në Korçë por ai mohon se e ka dëgjuar emrin tuaj.
– As unë nuk kam qenë kurrë në Korçë. Me siguri e kam dëgjuar unë gabim,- fola unë.
– Si e keni dëgjuar gabim!
– Isha ulur një ditë në një stol të lulishtes që gjendet në bregdetin e qytetit të Durrësit dhe dëgjova dy njerëz, të ulur në një stol tjetër afër meje. Ata folën për një burrë që kaloi para nesh.
– I njihni ata që folën apo armikun që kaloi para jush?
– Më vjen keq.
– Duhet të na ndihmoni patjetër ti gjejmë ata njerëz. Ne duhet ta pastrojmë atdheun tonë të shtrenjtë nga armiqtë. Mos e harroni amanetin e Naimit.
Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënë koka
Ju jeni kuadër dhe duhet ta vlerësoni investimin që ka bërë partia për arsimimin tuaj. Nëse na ndihmoni atëhere edhe ne do ju ndihmojmë.
– Kan kaluar rreth katër vite dhe nuk mbaj mend asnjë hollësi. Ka mundësi që emrin nuk e kam dëgjuar mirë. Unë e dija që këto janë punë të rrezikshme dhe nuk mund ti pyesja.
– Vetëm kaq!
– Po.
– Nuk ju shkon fare të bëni rolin e injorantit.
Nuk fola.
– Të gjitha këto ju duken vetëm rastësi?
– Kaq dijë.
– Në filozofi ka një parim se disa rastësi bëjnë një ligjësi.
Më bëri një varg pyetjesh që i kishte të shënuara në një listë dhe une pergjigjesha duke genjyer.
– Keni pyetje?
– Nuk më duket se kam bërë axhitacion e propagandë armiqësore.
– Pak ju duken këto që keni shkruar në letër.
– Ato janë vetëm mendime. Unë nuk kam folur absolutisht me asnjeri. Pastaj… Mendimet e njeriut janë vërtetë relative. Ato ndryshojnë me kohën dhe duken si një debat me vetëvehten. Sot edhe mua më duken jo t ë drejta. Pastaj… Nuk besoj se ka ligjë që dënon edhe mendimet e njerëzve.
– Ka ligje për të gjitha llojet e veprimtarive armiqsore dhe do ta mësoni shumë mirë kur të dilni në gjyqë. Ju jeni një armik i bindur plotësisht për veprimtarinë tuaj tradhtare.
Kishte raste kur pyeste edhe kot për të më shpërqendruar. Më fliste për familjen dhe per fëmijët dhe më mbajti mbi tri orë.
Me sa kuptova unë mbeti i pakënaqur nga përgjigjiet e mia sepse në fund më premtoi se do më varroste të gjallë dhe do ma shkatërronte familjen.
Të rroje partia! Desha ti themë por do e kuptonte talljen dhe haja ndonjë shkop polici.
Partia nuk e njeh mëshirën. Partia e dërgoi në litar edhe ate djalin 19-vjeçar.
Ja si shkruante ai ditën e fundit të jetës së tij.
“ Nesër kam vdekjen që pret me shpatë në dorë për të prerë kokën time. Padashje ëndërroj gjëra fantastike sikur do ndodhë një mrekulli dhe unë do dal prej këtu. Do rend të takoj Dafinën dhe ti kërkoj falje pse nuk kam shkuar ta takoj. Më vjen shumë keq për Dafinën.
– Sa të lumtur jeni ju shqiptarët, – më tha Dafina një ditë. – Ju keni shtetin shqiptar, flamurin shqiptar dhe gjuhën shqipe. Ti vjen të më takosh mua pa asnjë problem ndërsa shteti Jugosllav të dënon me 30 ditë burg po të dhkelësh kufirin.
Vërtetë ne jemi të lumtur. Ne kemi shtetin tone. Shteti jonë na don shumë se jemi bijtë e tij dhe na e han kokën. Patjetër ajo kujton se unë e kam mashtruar dhe më pret me lotë në sy e me vështrim të tretur këtej nga toka jonë. Kjo është toka mëmë që pin gjakun e fëmijëve të saj.
Jooo… bërtita me të madhe.
Polici nxorri syrin te dritarja e vogël dhe ma bëri me shenjë të qetësohesha.
– Nuk dua të vdes.
Kërcitën ca hekura dhe prita çfarë po ndodhte. Ndoshta po vijnë të më rrahin përsëri.
– Kush bërtet ashtu?
Me sa duket kishte ardhur polici i turnit të tretë.
– Eshte ai djali i dënuar me vdekje.
– Ta lajmërojmë oficerin roje!
– E lajmërova por më tha ta lëmë të lirë sonte. Nuk bën më efekt dajaku. Nesër do ta varin në litar “.