Në Srebrenicë bie shi-Enver Sulaj


Enver Sulaj

Varret janë shtrirë në fushën e gjerë

Ngado t’i shohësh të del harta e gjelbër e atdheut.

Qirinjtë varg ndriçojnë rrugicat e përgjakura

Shiu s’e shuan zjarrminë e stinës.

Nënat puthin gurët e varreve

Nga minaretë kumbon lutja për shpirtrat që panë antinjeriun.

Në flakë po t’i hedhësh mushkëritë

Frymë do të marrësh nga prushi

Nga dheu

Që i mbrami të bie mbi fytyrë.

Zot,

bëje dhembjen shpresë

Trishtimin – dashuri

Lotin – njomështi!

Në Srebrenicë sot bie shi.